Sport

FIFA i kundërvihet agjentëve të futbollistëve, gati reforma e re


Presidenti i organit më të lartë të futbollit në botë, FIFA-s, Gianni Infantino, në një intervistë të fundit për “Report”, ka folur rreth ndryshimeve që pritet të ndodhin në futboll.

Një nga temat e prekura nga Infantino është dhe fuqia gjithnjë e në rritje e agjentëve të futbollistëve.

“Në vitin 2014 administrata e kohës në FIFA, hoqi rregullat e sistemit të agjentëve, duke hequr gjithçka që rregullonte profesionin. Kjo shkaktoi kaos”, tha Infantino për “Report”, duke shtuar se “sistemi ka dështuar. Duhet ta korrigjojmë”.

Sipas zvicerano-italianit, është hedhur ideja e një reofrme të re, e cila do të marrë jetë shumë shpejt, vitin e ardhshëm.

“Do të rifutet provimi, regjistri i agjentëve, rregulla të qarta për konfliktin e interesit, tavanet dhe komisionet”, theksoi kreu i FIFA-s.

“Të gjitha këto rregulla duhet të vendosen shpejt në mënyrë që të fillojmë të korrigjojmë sistemin e transferimeve”.

“Do të krijohet një ‘Clearing House’, një shtëpi kleringu për të siguruar që pagesat të bëhen në mënyrë transparente”.

“Do të jetë një sistem i ngjashëm me atë që bankat përdorin për të luftuar pastrimin e parave”, vijoi të thoshte 51-vjeçari.

Në një raport të fundit, të publikuar nga FIFA, për vitin 2021, të ardhurat e agjentëve të futbollistëve u rritën me 452.16 milionë euro. Në dekadën e fundit janë shpenzuar 3.1 miliardë euro për agjentët.

Deri më tani, agjentët e fuqishëm të futbollit botëror si Mino Raiola, Jonathan Barnett-i dhe Pedro Bravo kanë dal kundër sistemit të ri që synon të krijojë FIFA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore