Bota

“FBI-ja do të publikojë dosjet për hetimin e 11 shtatorit”


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka njoftuar deklasifikimin e dosjeve nga hetimi për sulmin e 11 shtatorit.

Ky vendim erdhi pas një presioni të fortë të Kongresit dhe nisur nga paditë që po bëjnë familjarët e viktimave ndaj Arabisë Saudite.

“Ndërsa afrohet 20-vjetori i 11 shtatorit, populli amerikan meriton të ketë një panoramë më të plotë të asaj që qeveria e tij di rreth sulmeve”, lexohet në një urdhër ekzekutiv të lëshuar të premten e 3 shtatorit.

Zbulimi i dosjeve do të shtrihet përgjatë një periudhe gjashtë-mujore.

Në urdhër cilësohet që rrjedhja “pa kriter” e informacionit mund të prekë sigurinë kombëtare.

Prandaj, do të parashikohet një ekuilibër mes transparencës dhe llogaridhënies.

Familjarët e viktimave kanë kërkuar prej kohësh që SHBA-të të nxjerrin gjetjet e “Operacionit Encore”.

Ky i fundit është një hetim i FBI-së mbi bashkëpunimin e mundshëm saudit.

Veçanërisht kontaktet midis zyrtarëve sauditë dhe dy rrëmbyesve të 11 shtatorit që jetuan në Kaliforni disa muaj para sulmeve.

Riyadh-i zyrtar ka mohuar çdo përfshirje dhe po përballet me një padi të ngritur nga familjarët e viktimave në gjykatën federale të New York-ut.

Sipas urdhrit ekzekutiv, një komunikim elektronik i FBI-së i datës 4 prill 2016 do të duhej të publikohej deri më 11 shtator.

Avokatët e familjeve besojnë se do të jetë një përmbledhje prej 16 faqesh e gjetjeve të “Operacionit Encore”.

Ekzistenca e atij dokumenti u pranua nga autoritetet amerikane gjatë procesit të zbulimit në rastin e New York-ut.

Brenda dy muajve nga urdhri, FBI-ja dhe agjencitë e tjera do të duhet të lëshojnë “të gjitha regjistrimet e tjera që më parë ishin mbajtur të fshehura, të klasifikuara, plotësisht ose pjesërisht, gjatë zbulimit”, si dhe një komunikim tjetër elektronik të FBI-së që mbyll “Operacionin Encore”.

Brenda katër muajve, qeveria do të deklasifikojë “të gjitha raportet e intervistave, dokumentet analitike, dokumentet që raportojnë gjetjet hetimore, ose regjistrime të tjera thelbësore (përfshirë regjistrat e telefonit dhe regjistrimet bankare, nëse ka)”, nga hetimi fillestar i FBI-së për sulmet.

Brenda gjashtë muajve, qeveria duhet të lirojë çdo gjë të rëndësishme nga çdo hetim tjetër që ka të bëjë me rrëmbyesit dhe çdo “marrëdhënie me një qeveri të huaj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore