Kosova

Familjarët janë për ahengje – Familjarët janë për punësime


Albulena Haxhiu dhe Alban Krasniqi

Alban Krasniqin mund ta mbani mend nga fushata e fundit zgjedhore për kryetar komunash.

Krasniqi ishte kandidat për kryetar të Malishevës.

Euforik në studio televizive e ofendues në komente në rrejte sociale, Krasniqi njihet për politikan të tensionuar.

Por, më shumë njihet si burri i ministres, Albulena Haxhiu.

Vetë Krasniqi s’ka arritur dot ta replikojë suksesin e gruas në politikë, por të paktën, tash e tutje do të ketë një pozitë të mirë brenda Qeverisë së Kosovës.

Ai është emëruar këshilltar politik i Elbert Krasniqit, ministrit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Dokumenti i vendimit është bërë publik nga disa media në Kosovë.

Punën e ka filluar këtë muaj, me datën 5, dhe pozitën do ta mbajë, sipas vendimit, deri në fund të mandatit të kësaj qeverie.

Pika e katër e vendimit është më e gjata dhe më e çuditshmja.

Aty theksohet se i emëruari nuk do të paguhet nga buxheti i Kosovës dhe rrjedhimisht s’do ta rëndojë atë, por më pas nuk tregohet saktësisht se nga kush do të paguhet.

Vetëm se thuhet që “të ardhurat mund të sigurohen përmes donatorëve të ndryshëm të jshtëm të cilët mund të ofrojnë përkrahje të tillë konform legjislacionit në fuqi”.

Vetë Krasniqi ende nuk është deklaruar rreth lajmit për punësimin e tij. Deklarime nuk ka pasur as nga Qeveria e Kosovës.

E panevojshëm për t’u thënë, baza e kampanjës politike të Lëvizjes Vetëvendosje, ishte shfarosja e nepotizmit/familjarizimit nga institucionet e Kosovës.

E famshme mbetet fjalia e Albin Kurtit se të afërmit janë për ahengje familjare e jo për t’i punësuar.

Por, siç do të thoshte zëvendëskryeministri, kur ndryshojnë rrethanat, ndryshojnë qëndrimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore