Shqipëria

Eurostat: Shqiptarët të tretët për marrjen e një pasaporte evropiane


“Shqipëria zë vendin e tretë të qytetarëve që kanë përfituar nënshtetësi evropiane”.

Janë këto të dhënat e raportit më të fundit të Eurostatit, ku pasqyrohet numri i personave që kanë marrë nënshtetësi të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian (BE).

Në vitin 2020, raporton Eurostat, 729 mijë njerëz morën nënshtetësinë e një shteti anëtar të BE-së ku jetonin, një rritje prej 3% nga viti 2019.

Kjo shifër ishte kryesisht për shkak të rritjeve të regjistruara në Spanjë, ndjekur nga Holanda dhe në vend të tretë Portugalia.

Në të kundërt, uljet më të mëdha në terma absolutë u vunë re në Francë, me 23 mijë e 300 shtetësi franceze më pak krahasuar me vitin 2019, e ndjekur nga Gjermania me 20 mijë e 800, Belgjika me 6 mijë e 700 dhe Rumania me 4 mijë.

Ashtu si në vitin 2019, shumica (85%) e atyre që morën nënshtetësinë e një shteti anëtar të BE-së në vitin 2020 ishin më parë shtetas të një vendi jo anëtar të BE-së.

Ky informacion vjen nga të dhënat për marrjen dhe humbjen e shtetësisë të publikuara nga Eurostat.

Sipas të dhënave, marokenët, sirianët dhe shqiptarët janë përfituesit kryesorë të shtetësisë evropiane.

Në vitin 2020, marokenët ishin grupi më i madh në mesin e shtetasve të rinj të BE-së me 68 mijë e 900, nga të cilët 86% fituan nënshtetësinë e Spanjës, Italisë ose Francës.

Të dytët janë listuar sirianët, me 50 mijë e 200 nënshtetësi të marra, ku 49% prej tyre fituan nënshtetësinë e Suedisë.

Ndërsa në vend të tretë, shqiptarët, ku 40 mijë e 500 persona kanë marrë nënshtetësinë e një shteti të BE-së dhe 70% prej tyre kanë marrë nënshtetësinë e Italisë.

Nga ana tjetër, ndër personat që janë nënshtetas të BE-së dhe kanë marrë nënshtetësi të një shteti tjetër të unionit, kryesojnë rumunët me 28 mijë e 700 persona, polakët me 12 mijë e 500 dhe italianët me 8 mijë e 200 persona.

Të dhënat e Eurostat-it gjithashtu zbulojnë se shumica e shtetësive të reja janë dhënë nga Italia 18%, Spanja 17%, Gjermania 15%, Franca 12% dhe Suedia 11%, që përbëjnë 73% të shtetësive të reja të dhëna në BE në 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore