Sport

Europa League vjen me raundin e parë çerekfinal


UEFA Europa League do të fillojë këtë të enjte me katër ndeshjet e para çerekfinale. Duelet do të jenë: Leverkusen – West Ham, Benfica – Marseille, Liverpool – Atalanta dhe Milan – Roma. Të gjitha ndeshjet do të fillojnë nga ora 21:00.

Pas raundit të parë të çerekfinaleve të Champions League, tashmë është radha e skuadrave të Europa League për të zbritur në fushën e blertë.

“BayArena” do të presë duelin mes Leverkusen-it dhe West Ham-it.

“Aspirinat” po shkojnë drejt fitimit të titullit në Bundesliga dhe janë gjithashtu në garë për Kupën e Gjermanisë dhe Europa League.

West Ham, kampioni në fuqi i Conference League, renditet në vendin e shtatë në Premier League dhe do të përballet me ekipe si Manchester United, Chelsea dhe Newcastle për një vend në Evropë sezonin e ardhshëm. Kjo, gjithmonë nëse ata nuk triumfojnë në Europa League këtë sezon.

Leverkusen dhe West Ham janë përballur vetëm një herë më parë, në një ndeshje miqësore në parasezon, e fituar 4-0 nga gjermanët.

Mitiku “San Siro” do të presë një duel tërësisht italian. Milan-i do të përballet me Roma-n.

Kuqezinjtë e eliminuar nga Champions League, Kupa e Italisë dhe pothuasje jashtë garës për titull në Serie A shpresën e vetme për trofe e kanë te Europa League këtë sezon.

Roma, nënkampione e kompeticionit, vjen në këtë takim pas një ecurie fantastike me trajnerin Daniele de Rossi, i cili zëvendësoi Jose Mourinho-n. Me portugezin që drejtoi verdhekuqtë drejt titullit në Conferecene League dy sezone më parë dhe finalen e sezonit të kaluar në Europa League.

Roma, ashtu si dhe Milan-i, është jashtë garës për titull në Serie A dhe Kupën e Italisë. Por, në ndryshim nga kuqezinjtë që mbajnë vendin e dytë në kampionat, verdhekuqtë janë të pestët dhe luftojnë me skuadra si Juventus, Bologna dhe Atalanta për dy vendet e fundit në Champions League.

Milan-i dhe Roma kanë shumë përballje mes tyre në Itali, me kuqezinjtë që kanë fituar ndeshjen e këtij sezoni 3-1 po në “San Siro”.

Një tjetër stadium mitik i futbollit, “Anfield”, do të presë një duel interesant mes Liverpool-it vendas dhe Atalanta-s.

Liverpool-i shihet gjerësisht si skuadra më e favorizuar për të rrëmbyer trofeun, një tofe të cilin e humbi disa vite më parë (1-3 vs Sevilla, 2016).

Anglezët këtë sezon po luftojnë ngushtë me Arsenal-in dhe Manchester City-n për titullin në Premier League dhe Evropa League është gjithashtu në sytë e tyre, me Jurgen Klopp që pretendon ta mbyll me sa më shumë trofe aventurën e tij te të kuqtë.

Atalanta po kërkon të avancojë sa më shumë. Vitet e fundt italianët kanë qenë një nga surprizat e Serie A, por edhe në Evropë kanë arritur të bëjnë mirë.

Në Serie A, Atalanta qëndron në vendin e gjashtë dhe siç u përmend më sipër po lufton me Juventus-in, Bologna-n dhe Roma-n për dy vendet e fundit që të dërgojnë në Champions League sezonin e ardhshëm.

Skuadra nga Bergamo është gjithashtu në garë për Kupën e Italisë, megjithatë ka humbur 1-0 ndaj Fiorentina-s në gjysmëfinalen e parë.

Dy skuadrat janë përballur në vitin 2020 në grupet e Champions League. Atalanta fitonte 2-0 në “Anfield”, ndërsa Liverpoll triufmonte 5-0 në Bergamo.

Një tjetër takimi interesant do të jetë ai mes Benfica-s dhe Marseille-s, i cili do të zhvillohet në “Estadio da Luz”.

Pasi humbën mundësinë për një trofe në Kupën e Portugalisë ndaj Sporting-ut, Benfica do të ketë një tjetër duel për titull me ish-ekipin e Cristiano Ronaldo-s, atë për kampionatin.

Në krahun tjetër, Marseille vjen pas një sezoni jo fortë të mirë. Ata renditen në vendin e tetë në Ligue 1 dhe mundësia reale nga kampionati është që të luftojnë për një vend në Conference League sezonin e ardhshëm.

Dy skuadrat janë përballur në vitin 2010 në grupet e Europa League. Benfica triumfonte 2-1 në Francë, ndërsa takimi tjetër përfundonte në barazim 1-1. Një vit më vonë, skuadrat u përballen në një miqësore të fituar 2-1 nga francezët.

Katër ndeshjet e kthimit në Europa League do të luhen një javë më vonë, më 18 prill, dhe po në orën 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore