Lajme

Eurodeputeti gjerman i quan “fëmijërore” politikat e Komisionit Evropian kundrejt Kosovës  


Reinhard Butikofer

Deputeti nga radhët e “Të Gjelbërve” në Parlamentin Evropian (PE), Reinhard Butikofer, e ka konsideruar si “politika fëmijërorë” qasjen e Komisionit Evropian dhe të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropianë për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, në raport me masat ndëshkuese të vendosura Kosovës në qershor të viti të kaluar.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha ditë më parë se masat ndëshkuese të Unionit që u ishin vendosur Kosovës gjatë muajit qershor të vitit të kaluar për mos përmbushjen e kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veri, do largohen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në Veri.

“Blloku është duke e vëzhguar situatën në terren dhe duke punuar bashkë me partnerët për të parë nëse janë ndërmarrë masat e duhura”, tha Stano gjatë një konference për media.

E sipas eurodeputetit gjerman Komisioni Evropian e Borrell me këtë qasje kundërshtuese ndaj largimit të masave ndëshkuese po injorojnë realitetin faktik në terren.

“Komisioni Evropian dhe Borrell po këmbëngulin në gënjeshtra dhe po besojnë se mund të zgjidhin problemin duke injoruar realitetin”, ka shkruar Butikofer në platformën sociale, X.

Në Veri të Kosovës, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në maj të vitit të kaluar.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan.

BE-ja, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit, në formë të pezullimit të përkohshëm të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e mos-alokimit të fondeve e ndihmave të ndryshme të Unionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore