Lajme

Etiopia siguron teknologji për hakerimin e telefonave nga firma izraelite Cellebrite


Policia etiopiane ka blerë teknologji nga kompania izraelite e inteligjencës digjitale Cellebrite për të hakeruar celularët e të arrestuarve.

Referuar raportimeve, ajo është përgjegjëse për ndalimin masiv të pakicave dhe persekutimin e forcave opozitare dhe gazetarëve.

Policia federale e Etiopisë ka përdorur sistemet e Cellebrite që nga viti 2021, në kulmin e luftës civile midis forcave të kryeministrit të vendit dhe Forcave Çlirimtare Popullore Tigrayan.

Produkti kryesor i Cellebrite është një teknologji e quajtur UFED, e cila përdoret nga autoritetet për të hakeruar telefonat e sekuestruar që janë të mbrojtur me fjalëkalim.

Po ashtu kjo i lejon klientët e Cellebrite të shkarkojnë të gjithë informacionin e ruajtur në ato pajisje, duke përfshirë skedarët e mediave dhe mesazhet me tekst, historitë e telefonatave, kontaktet.

Sipas “Haaretz”, klientët e saj përfshinin në atë kohë regjime represive nën sanksione, mes tyre Bjellorusinë, Kinën, Hong Kongun, Ugandën, Venezuelën, Indonezinë, Filipinet dhe skuadrën famëkeqe të vdekjes RAB në Bangladesh.

Në tetor, gazeta ka nxjerrë se Rusia vazhdoi të përdorte UFED, megjithëse Cellebrite njoftoi në vitin 2021 se kishte ndaluar aktivitetet e saj në Rusi në dritën e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga presidenti rus Vladimir Putin.

Në një letër dërguar Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit dhe Cellebrite nga avokati izraelit Eitay Mack, një numër aktivistësh për të drejtat e njeriut bëjnë thirrje për ndërprerjen e shitjeve të teknologjisë dhe shërbimeve mbështetëse ndaj regjimit represiv të Etiopisë.

E gjitha vjen pas një raporti nga Amnesty International dhe Human Rights Watch, që detajon se si Etiopia ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë raundit të fundit të luftimeve.

Që nga nëntori 2020, sipas raportit, forcat e sigurisë dhe ato civile janë përgjegjëse për “ekzekutimet jashtëgjyqësore, përdhunimet dhe aktet e tjera të dhunës seksuale.

“Plaçkitja e përhapur e të korrave dhe bagëtive, si dhe plaçkitja dhe pushtimi i shtëpive të Tigrayan, shkatërruan burimet e jetesës”, vijohet në raport.

Po ashtu thuhet se “Tigrayan-ët janë përballur me arrestime masive dhe ndalime arbitrare të zgjatura në qendrat e paraburgimit formal dhe joformal ku të burgosurit janë vrarë, torturuar dhe keqtrajtuar.”

Sakaq, një komision i përbashkët hetimor i OKB-së dhe Komisionit Etiopian të të Drejtave të Njeriut ka zbuluar se të dyja palët kanë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Më 2 nëntor u nënshkrua një traktat paqeje midis qeverisë etiopiane dhe Frontit Popullor Çlirimtar Tigrayan, por kushtet në shtetin verior janë ende të vështira.

Forcat qeveritare janë tërhequr, por Ushtria Eritreane dhe milicitë e shtetit të Amhara, të cilat po ndihmojnë Etiopinë, janë ende aktive në Tigray.

Policia e atjeshme ka postuar në faqen e vet në Facebook se kishte blerë sisteme UFED dhe pajisje ndihmëse për Byronë e saj të Hetimit të Krimit.

Dhe fotot shoqëruese tregojnë zyrtarët e policisë që ekspozojnë sisteme të reja Cellebrite, jashtë kutisë.

Për Mack, Byroja i shërben kryeministrit Abiy Ahmed për të persekutuar pakicat, kundërshtarët e regjimit dhe gazetarët.

Ai ka përfituar nga lufta civile kundër pakicës Tigrayan për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend dhe për të arrestuar dhjetëra mijëra njerëz.

Prej fillimit të luftës civile janë arrestuar 63 gazetarë, shumica prej tyre Tigrayan.

Në gusht, policia federale paditi 111 media digjitale “të paautorizuara” që pretendonin nxitje për dhunë, nxitje të urrejtjes dhe dëmtim të qeverisë.

Kurse përgjatë vitit të kaluar, një sërë mediash të pavarura u është dashur të ndërpresin veprimtarinë për shkak të persekutimit nga regjimi i tij.

Ndërkohë, Cellebrite nuk e ka mohuar që i ka shitur produktet e saj Etiopisë.

Kompania ka deklaruar se është “e përkushtuar ndaj misionit të saj për të krijuar një botë më të sigurt duke u dhënë zgjidhje organeve të zbatimit të ligjit dhe përdorimin rreptësisht ligjor dhe etik të produkteve të saj”.

“Ne kemi zhvilluar mjete të rrepta monitorimi që do të sigurojnë përdorimin e duhur të teknologjisë sonë në kuadër të hetimeve të kryera në mënyrë ligjore”, ka vijuar deklarata.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore