Lajme

Escobar: Asociacioni nuk duhet t’ia shkel sovranitetin Kosovës – qëllimi jonë është që mos të bëhet si Republika Srpska


I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë raportimit të tij në Senatin amerikan ka thënë se më 2 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë nisur diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni është obligim ligjor i Kosovës për shkak të marrëveshjes së Brukselit, e kemi thënë këtë që ky Asociacion nuk ia shkel sovranitetin Kosovës”, tha Escobar.

“Asociacionin duhet ta kontrollojë Kosova, qëllimi jonë është që mos të bëhet si Republika Srpska. BE-ja ka ofruar disa modele evropiane”, shtoi ai.

Escobar ka shtuar se pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën “na kanë kërkuar që zbatohen marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë” dhe se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është kyçe për ta.

“Nga Kosova presim që ta themelojë Asociacionin, sepse nuk mund të anashkalohet, në mënyrë që Kosova të afrohet më shumë nga BE-ja”, potencoi ai.

Ai ka theksuar se pajtueshmëria e arritur mes Kurtit dhe Vuçiç-it, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve “është hap madhor”.

Në mënyrë që të zbatohet kjo marrëveshje, Escobar ka thënë se do angazhohet ShBA-ja.

“ShBA-ja do të angazhohen që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha obligimet, vonesat i kanë lejuar Rusisë që të përzihet dhe të pengoj Serbinë nga rruga për në BE dhe NATO edhe pse populli i saj e do këtë”, tha Escobar.

Esobar ka treguar se “ka udhëtuar në Bruksel disa herë dhe vendet e tjera për ta përkrahur procesin e dialogut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore