Shëndet

Është investimi në zhvillimin personal – jo në dukje – ai që shumëfishohet


“Investimi në dukje është një energji që nuk të çon në destinacione fitimprurëse dhe njerëzore. Moda, bukuria, tendencat… ndryshojnë me kohën dhe interesat e tregut”.

Përgjigje kjo, nga sociologia Marsi Simo, për të gjithë ata të rinj dhe perceptimin e tyre se bukuria i hap dyert e karrierës lehtësisht.

Është investimi në zhvillimin personal dhe profesional, sipas saj, ai që rritet dhe shumëfishohet.

Ama modelet që prezantohen ngado nuk e thonë këtë, as me fjalë dhe as me dukjen e tyre.

Ndaj dhe shoqëria, në tërësi, e konsideron të ndryshmen si të keqe. Nuk e përqafon dot.

Me sa duket, “të ndjekësh masën duket më e thjeshtë dhe me përfitime më të shpejta”.

Sociologia Simo tregon për Albanian Post se jetesa në një botë konsumiste i sjell këto tendenca që janë vetëm në dukje, por jo në thelb.

Të ruash ekuilibrin

Ajo tregon se, paçka fushatave ndërgjegjësuese, shumica e njerëzve priren ta shohin pamjen e jashtme si pasaportë prezantimi përpara se të njihen me dikë.

Përkundër ndikimit në rritjen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit, mund të ndikojë edhe në uljen e tyre.

“Dikush ndihet shumë i qetë kur njerëzit e tjerë e admirojnë dhe preferojnë të shoqërohen me të pasi e shohin tërheqës. Si pasojë ka një fuqi, e cila jo pak herë ndikon të njeriu që shpenzon kohë dhe energji për tu kujdesur për të”.

Simo sheh më me rëndësi të kuptuarin nëse ruhet një balancë midis mirëqenies në tërësi dhe aftësive të tjera themelore.

Nëse rëndësia e pamjes e tejkalon peshën që kanë aftësitë e tjera, kthehet në një “shqetësim të panevojshëm dhe dëmtues”.

Fenomeni – përjashtimi, dhuna verbale dhe joverbale ndaj të tjerëve për shkak të pamjes – është prezent në shumë shoqëri ku “të ndryshmen e konsiderojnë të shëmtuar apo që duhet të mos pranohet”.

Ajo dallon se ky fenomen, ndodh në një sërë mjedisesh duke përfshirë takimet, mjediset sociale dhe vendet e punës. Dhe se ky atribut fizik mund të jetë për peshën e trupit, gjatësinë, ngjyrën e lëkurës, shenjat e fytyrës, apo edhe shenjat e lindjes.

Por përse e kanë të nevojshme njerëzit të paragjykojnë?

“Ndoshta nga aspekti psikosocial, kanë një nevojë të pamasë për t’u përfshirë në një grup me dëshirën për t’u përfaqësuar dhe këtë e realizojnë duke paragjykuar apo diskriminuar të tjerët”.

Sipas sociologes, paragjykimet janë më së shumti te njerëzit, të cilët kanë një nivel arsimimi dhe edukimi jo shumë të lartë e që priren t’i shohin gjërat më tepër përciptas sesa në thelb të tyre.

Radha i vjen dëmeve

Presioni më i dëmshëm, për Simon, është tjetërsimi i vetes.

“Të rendësh drejt një të pavërtete dhe mungese rehatie sepse kështu ta kërkon bota e modës apo trendet e shoqërisë”.

Ajo zbulon se më shpesh, gratë vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, ku ndër më të njohurat janë bulimia dhe anoreksia.

Dhe se këto probleme më së shumti vijnë si pasojë e presioneve të shtuara në mediat sociale.

“Interesi më i madh i grave për pamjen mësohet nga shoqëria. Ky interes rrjedh thjesht nga promovimi social dhe marketingu i një imazhi femëror”.

Vajza dhe gruaja, sipas këtij imazhi ideal të reklamuar në mënyrë frekuente dhe intensive, duhet të jetë e bukur, me buzë mishtore, mollëza të dala, qerpikë të gjatë dhe vetulla të ngritura.

Standarde të online-it

Tanimë dihet se miliarda njerëz në mbarë botën përdorin mediat sociale për të shkëmbyer informacione dhe për të krijuar lidhje.

“Në një nivel personal, media sociale u lejon njerëzve komunikimin me miqtë dhe familjen, të mësojnë gjëra të reja, të zhvillojnë interesat dhe të argëtohen, por edhe si të kenë një standard bukurie”, tregon Simo.

Sakaq, standardet ndryshojnë sipas shijeve dhe trendeve të personave të famshëm që merren me industrinë fitimprurëse të modës.

Kështu krijohet një mendësi që lidhet vetëm me të bukurën dhe dukjen.

“Mjafton të klikojmë në media sociale dhe do shohim pafund video e foto dhe do bombardohemi me fytyra vajzash që mësojnë si të bësh makeup, të vishesh për çdo rast, të kombinohesh”.

Për dilemat

Ngjashëm si njerëzit fitojnë një shije për të pirë kafe, po ashtu ata fitojnë besimin se pamja e jashtme është më e rëndësishme për gratë sesa për burrat, sipas saj.

Simo sjell për Albanian Post një ilustrim nga një kërkim shkencor dhe rezultatet e tij.

Sociologët nga Universiteti i Lodz-it kryen kërkime mbi atraktivitetin midis grave dhe burrave në tre kategori moshe: të rinjtë (20-37 vjeç), mosha e mesme (38-62 vjeç) dhe të moshuar (63-80 vjeç).

Si gratë ashtu edhe burrat e moshave të ndryshme ishin të vetëdijshëm për ndikimin e paraqitjes në funksionimin e tyre shoqëror.

Të gjithë vunë re jo vetëm vlerën instrumentale të pamjes, por edhe vlerën e saj në mirëqenie, vetëvlerësim dhe besim.

Sociologia dallon se hulumtimet tregojnë se qëndrimet ndaj pamjes ndryshojnë midis grupmoshës dhe gjinisë.

Gratë më shpesh vërejnë se gjykohen nga pamja e tyre në sfera të ndryshme të jetës më shumë sesa burrat.

Kurse të rinjtë, pavarësisht nga gjinia, kanë ndërgjegjësimin më të lartë për rëndësinë e paraqitjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore