Lajme

Escobari përmbyll sagën e takimeve në Prishtinë – Lajçaku nis maratonën diplomatike në Beograd


Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta përmbyllë këtë të premte (sot, 15 mars) vizitën në Kosovë, ku qëndroi për dy ditë rresht në kuadër të përpjekjeve amerikane për t’i dhënë fund krizës aktuale rreth çështjes së dinarit dhe rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Saga e takimeve të Escobarit në Prishtinë nisi të mërkurën (13 mars), kur fillimisht takoi presidenten kosovare, Vjosa Osmani, pastaj krerët e partive opozitare në vend dhe përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë. Në ditën e parë të vizitës, emisari amerikan lëshoi mesazhe të rëndësishme që tregojnë shumë për karakterin e raporteve aktuale mes Kosovës dhe SHBA-së.

Përderisa presidenten Osmani e falënderoi për mbrojtjen e orientimit pro-amerikan të popullit të Kosovës, ai e qortoi kreun e ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, posaçërisht për sakrifikimin e partneritetit kosovaro-amerikan. Escobar theksoi se SHBA-ja “do ta mbajë përgjegjës” kreun e ekzekutivit që komuniteti serb të jetojë nën kushte “dinjiteti dhe sigurie” në Kosovë.

“Ju jeni garantuesja kryesore e trashëgimisë së marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe SHBA-së. Faleminderit! Dhe kjo trashëgimi është e bazuar në përkushtimin e palëkundur të SHBA-së ndaj pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së Kosovës”, deklaroi top-diplomati amerikan në një konferencë të përbashkët me presidenten Osmani.

Escobari pastaj vazhdoi takimet me opozitën kosovare dhe përfaqësuesit e serbëve. Përderisa krerët e opozitës e falënderuan emisarin amerikan për mbështetjen dhe kërkuan nga Qeveria e Kosovës të koordinohet me SHBA-në mbi veprimet e radhës, përfaqësuesit e serbëve nënvizuan se morën “garanci” nga Escobari që gjërat do të ndryshojnë në favor të komunitetit.

Në ditën e parafundit të vizitës, diplomati amerikan takoi kryeministrin Kurti në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Ai deklaroi para gazetarëve se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përveçse u shkaktoi vështirësi pjesëtarëve të komunitetit serb, shtoi plasaritje të reja në marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës.

Escobari e cilësoi “urgjencë humanitare” rregulloren e ndryshuar të BQK-së, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit kosovar, megjithëse shtoi se shpreson që Qeveria e Kosovës t’i marrë parasysh propozimet dhe këshillat amerikane.

“SHBA mbetet partneri më i përkushtuar i Kosovës. Por më duhet të pranoj se marrëdhinet tona janë në vështirësi për momentin. Këto vështirësi janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb. Është për të ardhur keq që ne duhet ta kalojmë këtë. Vendimi i BQK-së shkaktoi disa vështirësi për qytetarët e këtij vendi. Ne jemi shumë të shqetësuar”, deklaroi të enjten Escobari.

Vizita e Escobarit erdhi në një kohë kur marrëdhëniet midis autoriteteve kosovare dhe administratës amerikane janë në gradën e fundit për shkak të çështjes së dinarit serb – një çështje që sërish e ktheu Kosovën në qendër të kritikave amerikane. Ai largohet nga Kosova me shpresën se Qeveria e Kosovës do të tregohet “fleksibile” në diskutimet e ardhshme për dinarin.

Në këtë sfond edhe Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet ta ketë në agjendë të maratonës diplomatike pikërisht këtë çështje. Ai do të qëndroj këtë të premte në Beograd, megjithëse ende nuk dihet zyrtarisht agjenda e plotë e takimeve që pritet t’i ketë ai me udhëheqësit shtetërorë të Serbisë.

Vizita e top-diplomatit evropian në Beograd vjen në prag një cikli të ri të negociatave për dinarin që pritet të mbahet të martën e 19 marsit në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin e BE-së. Ky takim me shumë gjasë do të jetë në nivel të kryenegociatorëve, porse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Lajçak paralajmëroi javën e kaluar se do t’i ftojë kryenegociatorët e të dyja palëve – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – për diskutime të mëtejshme për çështjen e dinarit serb. Ai në fillim të marsit qëndroi për vizitë në Prishtinë, ku takoi shefin e ekipit negociator të palës kosovare pas refuzimit të këtij të fundit për të marrë pjesë në takimin e 27 shkurtit për dinarin.

Raundi i ri i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në kryeqendren evropiane nën kujdesin e BE-së, por përfundoi pa rezultate. Kosova refuzoi që në takimet e thirrura nga BE-ja për dinarin të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideron – deri tani – që çështja e dinarit nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.

“Unë planifikoj që në ditët në vijim të organizoj një takim në nivel të kryenegociatorëve, andaj kjo është arsyeja kryesore e vizitës në Prishtinë”, deklaroi emisari sllovak pas takimit që zhvilloi me shefin e ekipit negociator të palës kosovare, ku ndër të tjera u diskutua edhe për “hapat e mëtejshëm” drejt zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Për shkak të situatës së brishtë në pjesën veriore të vendit, posaçërisht pas përshkallëzimit të tensioneve vitin e kaluar që kulmuan pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë implementimin e vendimit dhe t’u japë më shumë kohë serbëve lokalë që të adaptohen.

Megjithatë, ky rast ofroi edhe një mundësi të volitshme për autoritetet kosovare që të tregonin edhe njëherë “zotësinë” që, nëpërmjet “konsistencës kundërshtuese” në diskurs dhe veprime, t’i “torturonin” diplomatët perëndimorë – një çështje që sërish e ktheu Kosovën në qendër të kritikave evropiane dhe amerikane, përkundër se ndodhet nën masa kufizuese.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo do të arrihet një kompromis në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore