Lajme

Escobar: Masat ndaj Kosovës janë të pacaktuara, derisa të ketë një lëvizje drejt progresit


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Ballkan, Gabriel Escobar konfirmoi se masat ndaj Kosovës janë të pacaktuara derisa të ketë një lëvizje drejt progresit.

Lajmi u bë i ditur nga organizata mediatike “Radio Evropa e Lirë”, duke cituar intervistën me zyrtarin amerikan.

“Pra, dua të them, këto masa janë të pacaktuara derisa të ketë një lëvizje drejt progresit si në (Marrëveshjen e) Ohrit, ashtu edhe në një plan shtensionimi”, theksoi fillimisht Escobar.

Ai shtoi se do të ketë pasoja nëse autoritetet kosovare refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian.

“Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim”, vijoi Escobar.

I dërguari i diplomacisë amerikane mendon se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës.

“Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu”, ravijëzoi ai.

Më herët, Escobar i kërkoi Qeverisë së Kosovës një përqasje të re në dialogun me Serbinë.

“Nëse do të më duhej të thoja diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës”, deklaroi zyrtari amerikan.

Sipas tij, autoritetet kosovare kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë.

“Mendoj se deklarata e Borrell-it ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”, theksoi në përmbyllje Gabriel Escobar.

Ndërtimi i situatës

Qeveria e Kosovës ka bërë përgjegjës për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin BE-së përgjegjësinë diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak i cili, sipas autoriteteve kosovare, javën e fundit e ka “mbushur kupën” me pocizionimin e tij në favor të Serbisë e kundër Kosovës.

E për këtë është i bindur kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, flirtoi me teorinë e konspiracionit dhe komplotit.

Ai ka thënë se ekziston një skenar, i hartuar nga diplomati sllovak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës në procesin e mëtejmë të dialogut.

BE-ja megjithatë i ka konsideruar “akuza të pabaza” pretendimet e autoriteteve kosovare për njëanshmërinë e Lajçak-ut, ndërsa bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka bërë me dije se pavarësisht këtyre “akuzave të pabaza”, terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” vazhdon të mbetet Brukseli.

Presidentja Osmani ndërkohë ka filluar të marrë një rol më aktiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, posaçërisht në një kohë kur marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare janë në gradën e fundit për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore