Shqipëria

Ermonela Jaho rikthehet në TOB, falas


Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho do kthehet sërish në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Kjo, për masterclass që do të zhvillojë nga datat 2 deri më 5 tetor.

Burime zyrtare pranë TKOB, kanë bërë me dije për Albanian Post se Akademia Teatrale është një projekt i iniciuar në kuadër të promovimit, zhvillimit dhe perfeksionimit të teknikës në disiplinën lirike.

“Ermonela Jaho ka qenë e para që hodhi gurin e themelit në këtë program, në prill të këtij viti, me anë të një masterclass-i rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, trajnimeve specifike të stilit dhe interpretimit të “Bel Cantos” italiane”, përsiat burimi për AP.

Gjithashtu bëhet me dije se masterclass-i i dytë i sopranos Jaho, është menduar të bëhet pa pagesë për “të mos ju dhënë mundësinë rrethanave dhe shfajësimeve që të hedhin poshtë punën e jashtëzakonshme të TKOB-së dhe të Ermonela Jahos”.

Studentët trajnohen nga emra të shquar ndërkombëtarisht, jo vetëm në muzikë por edhe në kërcim, si Ermonela Jaho, Anna Pirozzi, Giuseppe Picone, Leonard Ajkun, Resmi Malko, etj..

Gjithashtu ravijëzohet se në vetëm 1 ditë “që kemi hapur thirrjen janë marrë mbi 10 aplikime nga Shqipëria, Italia, Evropa e Ballkani Perëndimor”.

Aplikimi do të qëndrojë i hapur deri më 25 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore