Lajme

Erdogan njofton bisedime të veçanta me Zelensky-n dhe Putin-in


Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan ka njoftuar se do të ketë biseda të veçanta telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu Agency”.

Erdogan shpjegoi se, para së gjithash, ai do të shprehte kërkesën e tij për të mbajtur kanalet e dialogut.

Kjo, në mënyrë që të jetë në gjendje t’i japë fund luftës në Ukrainë përmes negociatave.

“Turqia do të vazhdojë t’i nxisë palët të mbajnë kanalet e dialogut dhe diplomacisë për të vendosur paqen në Ukrainë”, theksoi kreu i shtetit turk.

Nga ana e tij, Kremlin-i zyrtar ka konfirmuar tashmë se një bisedë e tillë është planifikuar.

Sekretari i shtypit i Putin-it, Dmitry Peskov u shpreh se kreu i Kremlin-it do të ketë një bisedë me Erdoganin më 30 maj.

Megjithatë, ai nuk specifikoi temat e bisedimeve.

Që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës, Turqia ka marrë rolin e një ndërmjetësi në negociata.

Autoritetet vendase kanë organizuar një takim të delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll më 29 mars.

Megjithatë, pasi dolën në dritë krimet e luftës të forcave ruse në Bucha, negociatat u ngrinë.

Më 28 prill, Erdogan bisedoi me Putin-in në telefon dhe rekomandoi rifillimin e negociatave me Ukrainën me ndërmjetësimin e Turqisë.

Në fund të prillit, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar deklaroi se Zelensky dhe Putin mund të takohen personalisht në të ardhmen e afërt. Megjithatë, takimi nuk u zhvillua kurrë.

Autoritetet turke ofruan gjithashtu evakuimin e sigurt nga deti të mbrojtësve ukrainas nga Azovstal në Mariupol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore