Lajme

Erdogan: Mediat sociale “kërcënim për demokracinë”


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përshkruar mediat sociale si një nga kërcënimet kryesore për demokracinë dhe shoqërinë turke.

I pari i Turqisë këtë e tha përmes një video-mesazhi, në Samitin Stratcom 2021 në Stamboll të shtunën e 11 dhjetorit.

“Media sociale, që është përshkruar si simbol i lirisë kur u paraqit fillimisht, është kthyer në një nga burimet kryesore të kërcënimit të demokracisë së sotme”, ka thënë ai, përcjell Anadolu Agency.

Qeveria turke po ndjek ligjin për të dënuar lajmet e rreme dhe dezinformatat që po bëhen në internet, por kritikët thonë se ndryshimet e propozuara do të shtrëngonin masat për lirinë e të shprehurit.

Derisa, ligji i ri do t’i bënte dezinformatat dhe lajmet e rreme vepra të dënueshme kriminale me 5 vjet burgim.

Gjithashtu presidenti turk deklaroi se po përpiqet të mbrojë shtresat e cenueshme të shoqërisë “kundër gënjeshtrave dhe dezinformatave pa shkelur të drejtën e qytetarëve tanë për të marrë informacion të saktë dhe të paanshëm”.

Shteti turk vitin e kaluar kishte miratuar ligjin që u kërkon platformave të mediave sociale që kanë më shumë se 1 milion përdorues të kenë përfaqësues ligjor dhe të ruajnë të dhënat.

“Askush, asnjë kompani nuk mund të jetë mbi ligjin,” theksoi ai.

Erdogan ka shprehur besimin e tij se Samiti Ndërkombëtar i Komunikimit Strategjik Stratcom do të plotësojë një nevojë të rëndësishme në terren.

Samiti dyditor mblodhi së bashku 112 folës nga mbi 30 vende dhe një audiencë të shquar prej mbi 3 mijë persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore