Aplikacione

Epic Games fajëson Apple-in për kontroll total


Në dëshmi, shefi ekzekutiv i Epic Games pranoi se ka qenë në dijeni për thyerjen e rregullave të App Store-it duke futur në lojë sistemin e pagesës përmes aplikacionit, por donte të theksonte ndikimin e Apple-it mbi përdoruesit e iPhone-it në botë, të cilët janë gjithsej një miliard.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se Tim Sweeney e ka bërë me dije këtë në një gjykatë federale në Oakland të California-s në ditën e parë të gjykimit antitrust kundër Apple-it.

“Doja që bota të shihte se Apple-i ushtron kontroll të plotë mbi të gjithë software-ët në iOS dhe ai mund të përdorë këtë kontroll për të mohuar përdoruesit e hyrjes nëpër aplikacione”, ka dëshmuar Sweeney.

Kjo ditë e parë e gjykimit sjell me vete një proces trejavor, i cili përqendrohet në dy praktika të Apple-it që janë bërë gurë themeli të biznesit të saj.

Njëra nga praktikat lidhet me kërkesën e Apple-it që të gjithë software-ët e palëve të treta të një miliard iPhone-ëve në botë të shpërndahen përmes dyqanit të tij të aplikacioneve.

Ndërsa tjetra ka të bëjë me kërkesën e Apple-it që zhvilluesit të përdorin sistemin e blerjes brenda aplikacionit të tij çka tarifon komisione deri në 30 për qind.

Lufta mes dy kompanive nisi në muajin gusht kur Epic Games theu rregullat e Apple-it me prezantimin e sistemit të vet të pagesave brenda aplikacioneve në “Fortnite” për të anashkaluar komisionet e Apple-it.

Përgjigjja e kompanisë amerikane ishte heqja e Epic Games nga dyqani i saj i aplikacioneve, App Store.

Me pretendimin se prodhuesi i iPhone-ëve po abuzon me fuqinë e tij mbi zhvilluesit e aplikacioneve nëpërmjet rregullave të rishikimit në App Store dhe kërkesat e pagesës që dëmtojnë konkurrencën në tregun e software-ëve, Epic Games e paditi Apple-in.

Por, nuk u ndal me kaq. Kompania nisi një fushatë të ashpër të marrëdhënieve me publikun për të tërhequr vëmendjen ndaj pretendimeve të saj çka rezultoi në mbikëqyrjen e rregullatorëve dhe ligjvënësve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj praktikave të Apple-it dhe jo vetëm.

Avokatja e Epic Games, Katherine Forrest, ka hapur argumentin e saj duke thënë se App Store-i është një “kopsht me mure” që nxjerr tarifa nga zhvilluesit, të cilët duan të bëhen pjesë e një miliard përdoruesve të iPhone-it.

Ajo ka vazhduar se Apple-i i ka mbyllur ata në ekosistemin e vet me aplikacione si iMessage, i cili lejon përdoruesit e Apple-it të dërgojnë mesazhe drejt pajisjeve të tjera, por që ka funksionalitet të kufizuar kur ata komunikojnë me përdorues e Android-it.

Ndërkohë Apple-i u është kundërpërgjigjur pretendimeve të Epic Games duke argumentuar se rregullat e saj të App Store-it kanë bërë që konsumatorët të ndjehen të sigurt në hapjen e portofoleve të tyre për zhvilluesit e panjohur duke ndihmuar në krijimin e një tregu masiv prej të cilit përfitojnë të gjithë zhvilluesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore