Lajme

Enver Beqiri emërohet zëvendësues i drejtorit në Spitalin e Mitrovicës


Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë.

Ortopedi Enver Beqiri është emëruar si zëvendësues i drejtorit ekzekutiv në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pas dorëheqjes së Luljeta Buçinca- Zhubit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK).

“Bazuar në kompetencat ligjore në fuqi, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK, zëvendësues të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, ka caktuar Dr.Enver Beqiri, i cili ka shërbyer si specialist i Ortopedisë tek Reparti i Ortopedisë, po në këtë spital”, është thënë në përgjigjen e ShSKUK për AP.

Drejtoresha e spitalit të Mitrovicës, Luljeta Buçinca-Zhubi, ka dhënë të hënën dorëheqje nga pozita e drejtoreshës së Spitalit Rajonal të Përgjithshëm në Mitrovicë “Dr. Sali Haxhibeqiri”.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar ajo duke thënë se dorëheqja e saj është bërë për t’u fokusuar në profesionin e saj si infektologe.

“Arsyeja e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të spitalit është përkushtimi si infektologe e vetme regjionale”, ka thënë ajo për Albanian Post.

Edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), kanë thënë se Zhubi i ka paraqitur dorëheqjen këtij institucioni.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm-ShSKUK, ju konfirmon se drejtoresha ekzekutive e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, i ka paraqitur dorëheqjen drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së”, është thënë nga ShSKUK-ja.

Para disa ditësh është raportuar se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka gjetur konflikt interesi në rastin e drejtoreshës Buçinca-Zhubi, e cila ka punësuar djalin e dajës si depoist në Spital.

Në anën tjetër, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar tha se për këtë rast do të merren veprimet e nevojshme sipas ligjit.

Jep dorëheqje drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore