Lajme

Emrat për guvernator të BQK-së do të shqyrtohen nga Komisioni për Buxhet


Banka Qendrore e Kosovës

Për më shumë se katër muaj pa Guvernator, Banka Qendrore e Kosovës, pritet të ketë një të tillë, së fundi.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen që do të mbajë këtë të hënë, do të shqyrtojë listën e kandidatëve për pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Konkursi për Guvernator të BQK-së ishte hapur më 18 nëntor të vitit të kaluar dhe kishte qëndruar i hapur deri më 16 dhjetor.

Paneli për përzgjedhjen e guvernatorit të ri kishte intervistuar më 25 janar 2023 kandidatët dhe në fillim të shkurtit, emrat e 4 prej tyre i kishte dërguar në Qeveri dhe Kuvend.

Sipas BQK-së, katër kandidatët të cilët i kanë kaluar të gjitha procedurat dhe kanë marrë vlerësimin maksimal janë Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj.

Nga paneli intervistues, Ismaili ishte vlerësuar me 35.3 pikë nga 40 pikët maksimale, ndjekur nga Kryeziu me 34 pikë, zëvendësguvernatori aktual, Ismajli, ka marrë 33 pikë dhe Himaj është vlerësuar me 26 pikë.

Por, procesi i vlerësimit të kandidatëve për këtë pozitë në BQK, nuk kaloi pa reagime.

Organizata jo-qeveritare, Lëvizja Fol, e cila merret me promovimin e politikave dhe praktikave të qeverisjes së mirë, përmes një komunikate për media, ka për të ditur se zyrtares së saj i është mohuar prezenca në procesin e intervistimit të kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, për arsye se kjo e fundit ka refuzuar të nënshkruaj një deklaratë të konfidencialitetit.

Në këtë komunikatë ndër të tjera thuhet se sekretari i panelit intervistues ka kërkuar nga zyrtarja e lëvizjes që ta nënshkruante deklaratën dhe në momentin që ajo ka refuzuar të nënshkruajë, asaj i është pamundësuar monitorimi.

Sipas Lëvizjes nënshkrimi i deklaratës së konfidencialitet do të detyronte organizatën që vlerësimin e saj për këtë proces të mos publikonte askund pa lejen e kryesuesit të panelit.

“Ne konsiderojmë që përdorimi i Deklaratave të Konfidencialitetit në proceset e rekrutimit për pozita publike është praktikë që shkatërron transparencën dhe rrjedhimisht besimin në institucione publike. Ne nuk mund të lejojmë që për të ndarë vlerësimet tona për procese të natyrës publike të kërkojmë leje nga institucionet publike”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.

Kushtëzimi i organizatave jo-qeveritare me nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit, sipas Lëvizjes Fol, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje flagrante të të drejtës së organizatave joqeveritare për të monitoruar dhe për të kërkuar llogari nga institucionet që ushtrojnë funksion publike.

Në fund, Lëvizja Fol, ka vlerësuar se pengimi i monitorimit është bërë për të mbajtur të fshehur nga publiku procesin më të rëndësishëm të rekrutimit në sektorin financiar dhe bankar dhe një qasje e tillë, sipas tyre, lë hapësirë për dyshime rreth këtij procesi.

Guvernatori do të zgjidhet për një mandat pesëvjeçar dhe pritet të fillojë punën më 29 mars 2023. Në bazë të Ligjit për BQK-në, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i këtij institucioni është pjesë e Bordit dhe kryesues i Bordit Ekzekutiv.

Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.

“Lista me radhitjen e të gjithë aplikantëve që konsiderohen nga paneli se kanë përmbushur kriteret do të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe Qeveri, e cila mund t’i japë një mendim Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kusht që ky mendim të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës brenda pesëmbëdhjetë ditëve”, thuhet në pikën dy të nenit 38.

Në fund kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, BQK-ja udhëhiqet nga Fehmi Mehmeti, i cili e kishte marrë detyrën në mars 2018.

Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere mbahet nga ora 13:30.

Shqyrtimi i listës së kandidatëve për plotësimin e pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është si pika e gjashtë, ndërsa në rend të ditës janë edhe:

3.Shqyrtimi i Raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin nr.08/L-172 për Sigurinë e përgjithshme të produkteve;

  1. Miratimi i planit të performacës së Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023;
  2. Shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore