Lajme

Emergjenca në Gjakovë: 3 prokurorët dhe qytetari i aksidentuar kanë lëndime mesatarisht të rënda


Ilustrim

Katër persona janë lënduar në një aksident komunikacioni mëngjesin e së premtes në fshatin Qerim të Gjakovës.

“Jo zyrtarisht, kemi mësuar që tre prej tyre janë prokurorë”, ka thënë për Albanian Post, Nysret Xhurkaj, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjakovës.

Tre prokurorët e lënduar e lënduar në këtë rast janë me detyrë në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 8:00 të mëngjesit.

“Dy automjete janë të përfshira, nuk dihet se çfarë automjete ishin, por njëra nga to është e Prokurorisë së Gjakovës dhe tjetra është civile”, tregoi më tej Xhurkaj.

“Nuk dihet cili ishte fajtori, kush ishte shkaku”, thotë Xhurkaj, “sepse rasti është akoma duke u hetuar, në vazhdimësi”.

Për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti, prokurorët dhe qytetari i janë dërguar në spitalin rajonal të Gjakovës, për të marrë trajtimin e duhur mjekësorë.

“Nuk e dimë shkallën e lëndimeve”, thotë Xhurkaj, duke shtuar se për detaje të mëtejme do të informoj me kohë.

Se ende nuk dihet saktë gjendja e tyre shëndetësore e thonë edhe në Emergjencën e qytetit të Gjakovës.

Gjokë Komani, mjek në emergjencë ka thënë për Albanian Post se të lënduarve ende nuk u është bërë ekzaminimi final, akoma janë duke i trajtuar dhe nuk mund të flasin saktë për gjendjen e tyre shëndetësore.

“Janë duke u trajtuar. Mendoj që njëri do të ndalet në spital, duhet ti bëjmë ekzaminim të thellë e CT”, tregon Komani.

“Lëndimet janë mesatarisht të rënda. Në të gjitha pjesët e trupit. Kryesisht janë nga qafa, gjoksi, shpina”, tregon më në detaje ai.

Ekzaminimi final i tyre përfundon pas disa orësh, por “momentalisht gjendja e tyre është stabile”, ka përfunduar Gjoka.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore