Lajme

EMA: AstraZeneca është e sigurt


“Kjo është një vaksinë e sigurt dhe efektive. Vaksina AstraZeneca nuk shoqërohet dhe nuk lidhet me rritjen e ngjarjeve tromboembolike dhe mpiksjes së gjakut”, tha në fjalën hyrëse Emer Cooke, drejtoresha ekzekutive e EMA-s.

Komiteti i Sigurisë së EMA-s (PRAC) po mban ndërkohë një takim të jashtëzakonshëm online, për të hetuar mbi vaksinën AstraZeneca dhe ngjarjet tromboembolike të lidhura me të.

AstraZeneca/EMA doli në një përfundim të qartë shkencor se kjo është një vaksinë e sigurt dhe efektive dhe nuk shoqërohet me ngjarje trombotike të rrezikshme. EMA fton për ndërgjegjësim publik, duke cilësuar se efektet anësore janë të rralla.

Dr. Straus bëri një përmbledhje gjithëpërfshirëse të studimit të ekipit të Belgjikës dhe EMA-s, si dhe ekspertëve shkencorë për mpiksjet e gjakut. Sipas saj, vaksina është e sigurt dhe efektive, përfitimet tejkalojnë rreziqet. Nuk ka çështje të cilësisë së grupeve. Numri i ngjarjeve trombotike është më i ulët sesa pritej në popullatën e përgjithshme.

Sidoqoftë, EMA ka rekomanduar shtimin e një paralajmërimi të ri për vaksinën, duke pasur parasysh se ka ende aspekte për t’u sqaruar në rastet e trombozës cerebrale, të cilat janë jashtëzakonisht të rralla, për të cilat do të nevojiten hetime të mëtejshme. Rreziqet janë megjithatë shumë të largëta krahasuar me ndërlikimet që sjell COVID-19 në rastet më serioze, të cilat mund të rezultojnë vdekjeprurëse.

Ekspertët e Agjencisë kanë ekzaminuar të dhënat e rreth 30 rasteve të dyshuara për më shumë se 5 milionë administrime të vaksinave të kryera deri më tani. Analizat morën në konsideratë jo vetëm se si dhe kur inokulua vaksina AstraZeneca, por edhe kushtet e përgjithshme shëndetësore të njerëzve që kishin zhvilluar probleme të mpiksjes së gjakut. Kontrollet nuk zbuluan ndonjë anomali dhe nuk çuan në gjetjen e faktorëve më të mëdhenj të rrezikut.

Duke mos gjetur asnjë lidhje shkakësore, dhe duke marrë parasysh numrin shumë të ulët të ngjarjeve anësore si tromboza në numrin e përgjithshëm të vaksinave të kryera me AstraZeneca, EMA beson se administrimi i vaksinës mund të rifillojë. Siç u njoftua të martën më 16 mars, disa vende evropiane duke përfshirë Italinë dhe Francën do të rifillojnë menjëherë përdorimin e dozave të vaksinës së AstraZeneca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore