Pajisje

Ekspozita që kërkon optimizëm për të ardhmen teknologjike


Futures, ekspozita që shënon rihapjen e Ndërtesës së Arteve dhe Industrive Smithsoniane pas gati dy dekadash në Qendrën Kombëtare të Washington-it, i dha peshë teknologjisë së një të ardhmeje më të mirë.

“Të gjithë donin të ishin pjesë e kësaj ekspozite sepse ka një uri të vërtetë nga ana e artistëve dhe shkencëtarëve për të qenë pjesë e një narrative që u lejon njerëzve të imagjinojnë të ardhmen që duan dhe jo të ardhmen që kanë frikë”, ka thënë drejtoresha Rachel Goslins.

Në të përfshihej një risi në prodhimin e proteinave, një bioreaktor që përdor algat për të thithur karbonin nga ajri me efikasitet 400 herë më të lartë se një pemë, tregon e përditshmja “The Guardian”.

“Qëndrueshmëria është thurur në të gjithë ekspozitën, pjesërisht në mënyrën se si e ndërtuam dhe materialet që përdorëm, por edhe në zgjidhjet që eksplorojmë. Ka shumë ide vërtet të mëdha në këtë ekspozitë, të cilat mund të ndryshojnë rrënjësisht marrëdhënien tonë me planetin”, ka vijuar Goslins.

Ndër objektet e ekspozuara ishte edhe një makinë prej gize e vitit 1909 e përdorur nga kimisti Leo Baekeland për të prodhuar plastikën e parë sintetike në botë.

Në fillim, ky dukej një fitim gjigant që mund të përdoret në elektronikë, bizhuteri, lodra apo të tjera, kurse tani njihet si një rrezik i qartë dhe i pranishëm për mjedisin.

“Për shkak të plastikës, mund të vendosim zemra artificiale te foshnjat dhe kemi makina që ecin më shpejt dhe janë më të lehta dhe përdorin më pak burime. Mund të fluturojmë në hënë. Por gjithashtu për shkak të plastikës, planeti ynë po mbytet”, ka paralelizuar drejtuesja.

Ajo ka treguar se ekspozita ka qëllime përtej dukjes, tregon “The Guardian”.

“Teksa u kërkojmë njerëzve të imagjinojnë të ardhmen që duan dhe të imagjinojnë mundësitë, po kërkojmë gjithashtu që të jenë të zhytur në mendime se cilat janë pasojat e këtyre zgjedhjeve dhe si mund të veprojmë për t’u mbështetur në rastin më të mirë”, ka shtuar Goslins.

Ndër yjet e ekspozitës ishin Bell Nexus, një taksi ajri hibride vetë-drejtuese dhe automjetet Hyperloop të Virgin me shpejtësinë 600 milje në orë.

Në qendër të shfaqjes qëndronte “me + you”, një skulpturë e artistit Suchi Reddy që përfshin inteligjencën artificiale dhe sponsorizohet nga Shërbimet Web të Amazon-it.

Pajisja dëgjon fjalët “E ardhmja ime është…” dhe pasqyron ndjenjën e folësit në një shfaqje dritash dhe modelesh me ngjyra.

Interpretimet e saj pritet të evoluojnë dhe do të bëhen më të nuancuara me kalimin e kohës.

“Është kjo strukturë frymëzuese që ka për qëllim të kapë shpresat dhe ëndrrat e vizitorëve dhe t’i pasqyrojë te ata. Kjo është arsyeja e ekzistencës së kësaj ekspozite, kështu që është një metaforë e mrekullueshme dhe është gjithashtu një gjë vërtet argëtuese për të bashkëvepruar”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, themeluesi i muzeut, David Rockwell, shpreson që vizitorët do të largohen me një ndjenjë mundësish për të ardhmen në vend që të paralizojnë dëshpërimin.

“Po jetojmë në një botë në të cilën duket se ka debate të pafundme për gjithçka dhe kemi kaluar një trazirë të madhe”, ka vijuar ai.

“Optimizmi është e vetmja rrugë përpara. Nuk do të thotë optimizëm i verbër, por optimizëm ku jeni në gjendje të nxiteni nga gjërat që nuk i kishit menduar. Si do të jetë e ardhmja pas 10, 20, 30, 50 vjetësh?”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore