Lajme

Eksperti kroat: Kosova dhe Mali i Zi janë lënë pas dore nga Perëndimi – po privilegjohen Shqipëria dhe Serbia


Davor Gjenero

Opinionisti dhe njohësi i çështjeve rajonale, Davor Gjenero, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, tha se shtete si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë lënë pas dore nga Perëndimi, kurse po privilegjohen Shqipëria dhe Serbia.

Gjenero ka shprehur skepticizmin e tij për “Planin e Perëndimit” rreth të cilit ka shkruar gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Janusz Bugajski, i cili i referohej ndarjes së Ballkanit Perëndimor në tre sfera të ndikimit – Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë.

“Mendoj se Janusz Bugajski po e tepron me konceptin e tij për gjoja ‘Planin Trepalësh’, i cili vepron si teori konspirative, por besoj se fakti është se në politikën aktuale euroatlantike, disa shtete janë lënë pas dore – Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia – dhe disa, si Serbia, por edhe Shqipëria, janë dukshëm më të privilegjuara”, tha Gjenero.

Ai ndër të tjera theksoi se nuk është aspak pozitive që ndërmjetësit evropianë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë (Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak) po tregohen më të butë ndaj Serbisë, ndërsa ndaj Kosovës po tregohen më të rezervuar.

“BE-ja duhet të shqetësohet për Malin e Zi që deri dje ishte lider i procesit të anëtarësimit, ndërsa tani është ‘harruar’. Nuk është mirë që negociatorët evropianë të tregohen më të butë ndaj Serbisë, ajo refuzon t’i bashkohet politikës së përbashkët të BE-së, dhe më e rezervuar ndaj Kosovës, e cila i respekton ato plotësisht”.

Bugajski së fundmi ka ngritur tezën se deri më tani janë propozuar plane të ndryshme për zgjidhjen e konflikteve, duke përfshirë shkëmbimin e territoreve dhe rregullimin e kufijve për të ndërtuar shtete etnike homogjene, por pa sukses mes frikës se kjo mund t’i përshpejtojë konfliktet e reja në rajon.

Uashingtoni dhe Brukseli, sipas Bugajskit, mund të kenë hartuar një plan për një zgjidhje të re rajonale – një “Plan Trepalësh” që synon shpërblimin e Tiranës, Beogradit  dhe Zagrebit me ndikim politik dhe ekonomik mbi Prishtinën dhe Podgoricën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore