Lajme

Eksperti amerikan: Reciprociteti është vendim i drejtë, por jam skeptik për kohën kur Kosova po insiston në të


Charles Kupchan

Charles Kupchan, një ish-diplomat i Departamentit të Shtetit Amerikan, thekson se Qeveria e Kosovës është në të drejtën e saj në aspektin e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës përshirë edhe Veriun.

Pra sipas ish-zyrtarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën e ish-presidentëve Bill Clinton dhe Barack Obama, vendimet e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitetit pasqyrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Megjithatë, Kupchan është skeptik për sa i përket momentit kur Qeveria e Kosovës po dëshiron të implementojë dy këto vendime.

Pasi, sipas tij, Evropa momentalisht po kalon nga një kohë e sfidave të mëdha, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Pyetja që duhet ngritur është nëse ky është momenti i duhur për të insistuar në të? Nuk jam i sigurt për këtë. Ajo që po ndodh tani është pjesë e një mobilizimi më të gjerë të nacionalizmave etnikë dhe konflikteve në të gjithë rajonin. Kjo nuk vlen vetëm për Prishtinën dhe Beogradin – ka sfida dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Rusia po kontribuon në to dhe po i përdor, por nuk jam i sigurt se a po i shkakton drejtpërdrejt”, ka thënë Kupchan në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht mungesës së dukshme të një rezultati të prekshëm, Kupchan thekson se angazhimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Ai madje pret një angazhim edhe më të madh të Antony Blinken dhe Joe Biden në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

“Unë mendoj se nevojitet një përfshirje më thelbësore e Shteteve të Bashkuara, megjithëse Bashkimi Evropian duhet të lihet të udhëheqë procesin. Duke pasur parasysh të kaluarën konfliktuale të rajonit, pesha diplomatike amerikane është një pjesë e rëndësishme e këtij ekuacioni”.

“Unë do të doja të shihja një përpjekje të qëndrueshme amerikano-evropiane për të avancuar procesin në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Në një të ardhme të parashikueshme, Escobar nuk do të merret vetëm me këtë çështje, por edhe Sekretari i Shtetit Blinken, madje edhe vetë presidenti Biden, i cili kujdeset shumë për Evropën dhe Ballkanin ”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore