Pajisje

Eksodi i profesionistëve të IT-së nga Rusia e kthen sektorin në viktimë të luftës


Në Moskë, në apartamentin me dy dhoma gjumi, ai kaloi vite duke menduar për një lëvizje nga Rusia.

E gjitha nga frika e rritjes graduale të një shteti policor.

Ai, 35-vjeçari Pavel Telitchenko, tri ditë pasi tanket e Kremlinit u futën në Ukrainë, bëri zgjedhjen e vështirë.

Bashkë me familjen e tij iu bashkua eksodit historik që përfshin daljen masive të mendjeve më të mira dhe më të ndritura të Rusisë në fushën e teknologjisë.

“Nuk doja të merrja një vendim emocional, por nuk mund ta rrisja djalin tim në një vend të tillë”, ka treguar Telitchenko, i cili u zhvendos në Letoninë fqinje në mars me gruan dhe djalin 3-vjeçar.

“Lufta më bëri të kuptoj se Rusia nuk do të ndryshojë”, ka pohuar.

Që më 24 shkurt, me nisjen e agresionit rus, vëmendja e Perëndimit u përqendrua te miliona refugjatët e larguar nga Ukraina.

Por edhe Rusia është në mes të një vale emigracioni që po përmbys sferat e saj të artit dhe gazetarisë, veçanërisht botën e teknologjisë.

Muajin e kaluar, Shoqata Ruse për Komunikimet Elektronike i tha Dhomës së Ulët të parlamentit rus se 50 mijë deri në 70 mijë punonjës të teknologjisë janë larguar nga vendi.

Sakaq, 100 mijë të tjerë pritet të largohen gjatë muajit të ardhshëm, me një total prej rreth dhjetë për qind të fuqisë punëtore të sektorit.

Ok Russians, një grup i ri jofitimprurës që ndihmon emigrantët, përdori një kampionim të të dhënave nga vendet fqinje dhe sondazhet e mediave sociale për të vlerësuar se afro 300 mijë rusë ishin larguar që nga fillimi i luftës.

Bashkëthemeluesi i grupit, Mitya Aleshkovskiy, ka treguar se disa nga ata që largohen janë aktivistë të opozitës, artistë dhe gazetarë.

Ndryshe, njerëz që presidenti Vladimir Putin ndoshta është i lumtur t’i shohë të shkojnë dhe largimi i të cilëve mund të reduktojë mospajtimin aktiv brenda Rusisë.

Ama gati gjysma e të larguarve i përkasin botës së teknologjisë.

Një fuqi punëtore shumë kalimtare, me kërkesë globale, që përfshin shumë që i frikësohen izolimit global të Rusisë, klimës së re të pafavorshme të biznesit dhe autoritarizmit thuajse total.

Sipas Aleshkovskiy, qeveria ruse është “me të vërtetë e frikësuar dhe e tronditur”.

Mijëra rusë që u larguan, fillimisht nga frika se Putin-i do të mbyllte kufijtë e Rusisë, janë kthyer mbrapa javët e fundit.

Por të tjerë pritet të largohen sërish, pasi ekspertët parashikojnë një valë të re largimesh në javët dhe muajt e ardhshëm.

Ekspertët e quajnë eksodin aktual si më të shpejtin e Rusisë që nga Revolucioni Bolshevik i vitit 1917, kur miliona intelektualë dhe elita ekonomike u larguan nga ngritja e Bashkimit Sovjetik.

“Po flasim për shumë njerëz në një periudhë shumë të ngjeshur, çështje javësh. Në vitin 1917, Rusia ishte në mes të një lufte civile. Por kjo po ndodh në kohën kur nuk ka luftë brenda vetë Rusisë”, ka thënë ekspertja Jeanne Batalova.

Largimi i kaq shumë talenteve kërcënon të dëmtojë një sërë sektorësh rusë, nga media shtetërore tek industritë e hapësirës ajrore dhe të aviacionit që janë duke u rrëmbyer nga sanksionet perëndimore.

Teknologjia dhe ekosistemi fillestar tashmë po vyshket nën ndërhyrjen dhe censurën e përshkallëzuar të qeverisë.

Qeveria ruse, e dëshpëruar për të frenuar valën, miratoi një paketë të paprecedentë nxitëse që u ofron firmave të IT-së ulje taksash dhe rregullime të reduktuara.

Sakaq, punonjësve të IT-së u premtohet strehim i subvencionuar dhe jo taksa mbi të ardhurat për tri vitet e ardhshme.

Dekreti i nënshkruar nga Putin-i u jep gjithashtu punonjësve të IT-së një përjashtim nga rekrutimi në shërbimin ushtarak, diçka që shumë të rinj rusë kanë kërkuar ta shmangin duke ikur nga vendi.

Drejtuesi i një kompanie që merret me zhvendosjen e firmave të IT-së, Mikhail Mizhinsky, ka thënë se klientët e tij rusë janë rritur në më shumë se 200 që nga lufta, një rritje 20-fish.

Më të mëdhenjtë po kërkojnë të zhvendosin një mijë punonjës. Shumica po zhvendosin 100 deri në 200 punonjës.

“Kurrë nuk jemi përballur me diçka të tillë”, ka thënë ai.

Eksodi i teknologjisë është gjithashtu për shkak të sanksioneve perëndimore dhe kufizimit të operacioneve nga kompanitë perëndimore, duke përfshirë IBM, Intel dhe Microsoft.

Edhe kompanitë më të vogla të teknologjisë ruse, ose kompani të drejtuara nga rusë ndërkombëtarë po largohen.

Ndërkohë, lojtarët kryesorë të teknologjisë ruse si Yandex, i quajtur shpesh “Google-i rus”, janë përpjekur të mbajnë nën kontroll punonjësit që po ikin nga Rusia.

Një person i afërt me Yandex ka treguar se kompania po studionte krijimin e zyrave të reja ose të zgjeruara në Armeni, Gjeorgji dhe Turqi, ku shumë nga inxhinierët janë zhvendosur së fundmi.

Kompania po ashtu është përpjekur të gjejë mënyra për të kapërcyer sfidat logjistike, duke përfshirë pagesën e stafit të zhvendosur, duke pasur parasysh se sanksionet perëndimore kanë shkëputur kryesisht kartat bankare ruse nga sistemi financiar ndërkombëtar.

Në mars, Yandex dha një bonus parash për mbajtjen e punonjësve dhe ka filluar t’i ofrojë stafit këshillim psikologjik.

Nga ana tjetër, intervistat me firmat e logjistikës dhe vetë punonjësit e teknologjisë sugjerojnë se ata janë të mbipërfaqësuar në rrjedhën e daljes sepse renditen ndër të paktët punonjës në Rusi që mund të largohen lehtësisht.

Puna në distancë, veçanërisht në epokën e pandemisë, ishte e zakonshme në këtë sektor, teksa kërkesa e huaj për aftësitë e tyre i bën kandidatë të mirë për viza pune jashtë Rusisë.

Shumë janë gjithashtu më të rinj, të sapodiplomuar në universitet, të cilët përballeshin me rreziqe nëse qëndronin.

“Mendova se mund të më dërgonin në luftë në Ukrainë”, ka treguar Maxim Nemkevich, menaxher produkti në një firmë të madhe ruse të IT-së.

Ai u largua në Turqi në mars pasi u kërkua nga universiteti i tij, ku ai ishte konsulent, të plotësonte një formular me aftësitë që mund t’i ofronte ushtrisë.

Sipas tij, punonjësit rusë të teknologjisë janë kudo në Stamboll.

Hapësirat e përkohshme të zyrave, restorantet dhe trotuaret janë “të mbushura me njerëz që flasin rusisht”. “Kaq shumë rusë janë” në Stamboll.

Menaxheri ka zbuluar gjithashtu se planifikon të qëndrojë në Turqi, për aq kohë sa të ishte e mundur dhe se do të aplikojë për programet e diplomimit diku tjetër në Evropë.

“Kam frikë se Rusia do të bëhet si Koreja e Veriut. Kursi kombëtar do të jetë izolimi dhe do të mbyllë çdo lidhje me botën perëndimore, do të jetë e lidhur ngushtë me Kinën”, ka pohuar Nemkevich.

“Nuk dua të jetoj në atë lloj vendi”, ka ravijëzuar ai.

Edhe para pushtimit të Ukrainës, Rusia kishte deficit të punonjësve të aftë të IT-së.

Vitin e kaluar, Ministria Ruse e Zhvillimit Digjital e përcaktoi mungesën e punonjësve të teknologjisë në vend midis 500 mijë dhe një milion, me një deficit prej dy milionë të parashikuar deri në vitin 2027.

Me ndalimin e fluturimeve ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Evropian, të shkosh në Riga nënkupton të udhëtosh fillimisht për në Shën Petersburg, pastaj 14 orë në autobus.

Më pas, si për shumë emigrantë rusë, marrja me qira e një apartamenti është provë, pjesërisht sepse sanksionet perëndimore e kanë vështirësuar tërheqjen e parave ose krijimin e një llogarie bankare.

Nëna e tij është e shqetësuar se të gjithë në Letoni, një ish-republikë sovjetike që tani është anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe qeveria e së cilës është ashpër kundër Putin-it, “i urrejnë rusët”.

Por në vend të kësaj, Telitchenko dhe familja e tij kanë gjetur një pritje të ngrohtë mes një populli që ka jetuar nën zgjedhën e Moskës në kohën sovjetike.

“Letonët na kuptojnë”, ka ravijëzuar ai.

 

Marrë nga “The Washington Post”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore