Lajme

Ekskluzive: MPJ shkel ligjin, shpallë konkurs në formë jo të rregullt


Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka shpallur kundërligjshëm konkursin për 32 zyrtarë të misionit diplomatik gjatë muajit korrik të këtij viti.

Kështu ka konstatuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës përmes një vendimi të cilin e ka siguruar Albanain Post.

Në vendimin që e posedon AP, thuhet se rekomandohet që MPJ të ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për anulimin e këtij konkursi.

“Kolegji i Këshillit, po ashtu nga shqyrtimi i shkresave të administruara ka gjetur se procedurës së rekrutimit të 32 zyrtarëve të misionit diplomatik nuk i ka paraprirë një procedurë e brendshme e lëvizjes paralele në kuadër të shërbimit civil”, thuhet në dokument.

Pos kësaj, të hënën, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për Viskont Jakupin që të kthehet në punë në pozitën e Sekretarit të Parë të Ambasadës së Kosovës në Londër të cilin e kishte shkarkuar Gërvalla.
Ai ishte i emëruar në këtë pozitë dhe menjëherë pas një muaj ishte shkarkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në vendimin e siguruar nga Albanian Post thuhet se vendimi është marrë duke u bazuar në propozimin e kreditorit të përmbarimit.

 

“Objekt i përmbarimit është kërkesa për kthim në punë, në Mision Diplomatik, duke vendosur për propozimin e kreditorit të përmbarimit, mbi caktimin e përmbarimit në bazë të Vendimit A.nr.117/2022 i datës 12.04.2022, i nxjerr nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), më datën 02.09.2022”, thuhet në dokument.

 

Vendimi i Gjykatës në rastin e Viskont Jakupi.

Tutje thuhet se Jakupi do të kompensohet që nga dita e kthimit të kreditorit nga misioni i Sekretarit të Parë të Ambasadës së Kosovës në Londër.

“Urdhërohet debitori i përmbarimit, ta kthej në punë kreditorin e përmbarimit, në Misionin Diplomatik në Londër/Mbretëri të Bashkuar, i caktuar sipas vendimit Nr.Ref. 293/2021, i nxjerr nga debitori dhe ta kompensoj kreditorin për diferencën në pagë, në mënyrë retroaktive nga data 11.11.2021”.

Edhe pse ishte emëruar për një mandat katër vjeçar që të kryej punën e Sekretari të Parë në Ambasadën e Kosovës në Londër, Jakupi qëndroi atje për vetëm një muaj.

Për shkak të paqartësive rreth banimit dhe shumës së buxhetit të caktuar për këtë gjë, Jakupi u kthye në shtëpi me urdhër të Ministres Donika Gërvalla.

Me tu kthyer Jakupi, përmes avokatit Mehdi Geci është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Të cilët kanë mandat ligjor për të trajtuar ankesat e të punësuarve në shërbimin civil.

Ky këshill ka aprovuar ankesën e Jakupit dhe i ka kërkuar MPJ-së të rishqyrtoj vendimin ndaj diplomatit Jakupi.

Pas këtij vendimi të Këshillit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nxjerr një vendim të ri, në të cilin e lë në fuqi vendimin e parë për shkarkim të Viskont Jakupit por në varg të arsyetimeve të dhëna, cek faktin se Ministria ka konstatuar se është bërë “një deklarim i një të pavërtete të pa tolerueshme”, në diskutimin zyrtar diplomatik – Ministre e Punëve të Jashtme (komunikimi me email në vazhdën e shqyrtimit në funksion të aprovimit të kërkesës për tejkalim qiraje).

Ndryshe më 19 maj të këtij viti ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte marrë vendim lirojë nga detyra të gjithë të emëruarit politikë, mes tyre edhe 12 ambasadorë.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm. Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore