Shqipëria

Ekipi i Kërkim-Shpëtimit Malor nga Kosova, evakuon trupat e dy turisteve që humbën jetën në Valbonë


Dy turiste, njëra nga Franca e tjetra nga Belgjika, kanë humbur jetën një ditë më parë në zonën malore e cila njihet si “Qafa e Valbonës”, zonë malore në fshatin Valbonë në veri të Shqipërisë.

Rasti raportohet të ketë ndhodhur rreth orës 13:00 të martën. Policia e Bajram Currit, ka kërkuar ndihmë nga ekipi i Kërkim Shpëtimit Malorë nga Kosova, të cilët i janë përgjigjur ftesës dhe kanë arritur të tërheqin trupat e pajetë të dy viktimave, të cilat kanë rënë nga një lartësi rreth 150 metra.

“Për fat të keq i kemi dy viktima femra. Nuk kanë mundur të mbijetojnë nga plagët e marrë. Ato kanë rrëshqitur nga Qafa e Valbonës në humnerë”, ka thënë për Klan Kosova Ilir Zhegrova, anëtar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

“E kemi bërë transportin e viktimave deri në Ragam. Veç sa kemi zbritur poshtë, viktimat i kemi dorëzuar në autoritetet shqiptare në Bajram Curr”.

“Sipas informatave të policisë së Bajram Currit njëra viktimë është franceze tjetra nga Belgjika”, tregon më tej Zhegrova.

“Thirrjen nga autoritetet shqiptare e kemi marrë rreth orës 1:30, kemi vazhduar në drejtim të Valbonës, e gjithë ekipi i Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës jemi mobilizuar, kemi vazhduar në qafë, terreni ka qenë i vështirë, me gurë, me borë, me akull, është dashur të përdoren edhe ankerime e mënyra të ndryshme për të arritur te viktimat”.

Gjatë tërheqjes së trupave, Zhegrova tregon se shembja e gurëve ua rrezikoi jetën edhe 10 antarëve të ekipit të Kërkim Shpëtimit Malor të cilët po përpiqeshin të largonin kufomat nga ajo zonë.

“Viktimat ku kanë pas aksident ka qenë vend i vështirë, jemi rrezikuar edhe ne sepse kemi pas shembje të gurëve, por fatmirësisht kemi arritur mirë, i kemi lokalizuar viktimat dhe me litarë i kemi zbritë poshtë”.

Zhegrova tregon se turistet kanë rrëshqitur nga një lartësi rreth 150 metra lartësi.

“Ato nga ana e Thethit janë nisur në drejtim të Valbonës. Në Qafë të Valbonës aty është një shkëmb, është një rrugë e rrezikshme dhe aty kanë rrëshqitur dhe kanë rënë poshtë”.

Në këtë ecje malore, përveç dy vajzave, në grup kishin edhe një djalë i cili i ka mbijetuar aksidentit me disa lëndime të vogla.

“Kanë pas edhe një djalë, i dashuri i njërës nga viktimat, por fatmirësisht ai ka shpëtuar me lëndime shumë të vogla”.

Valbona është një fshat në zonën e Bajram Currit, rrethi i Tropojës.

Fshati është një ndër atraktsionet më të preferuara turistike në Shqipërinë e veriut. Fshati është i vendosur në një grykë gjysmë të thepisur, buzë lumit me të njëjtin emër, mes malit të Kollatës, mal përballë Jezercës e Pecmarës, në një lartësi prej 810 metra mbi nivelin e detit.

Një nga atraksionet më kryesore të Valbonës mbetet lidhja e saj me luginën e Thethit përmes qafës me të njëjtin emër, Qafa e Valbonës. Një shteg epik në Alpet Shqiptare i kërkuar dhe përshkuar nga shumë udhëtarë shqiptar e të huaj çdo sezon.

Qafa malore që lidh Thethin me Valbonë e merr emrin nga kjo e fundit, Qafa e Valbonës e vendosur në një lartësi 1759 mt, mbi nivelin e detit e rrethuar nga maja të tjera me të larta si maja e Alisë, maja e Hekurave etj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore