Lajme

Ekipet saudite heqin 2 mijë e 400 mina të milicisë Houthi në një javë


Ekipet inxhinierike të projektit saudit MASAM për pastrimin e minave tokësore në Jemen kanë pastruar gjatë javës së parë të janarit 2 mijë e 427 mina tokësore të vendosura nga milicia Houthi e mbështetur nga Irani në disa rajone jemenase.

Projekti në fjalë është nisur nga Qendra e Ndihmës Humanitare dhe Ndihmës së Mbretit Salman, KSRelief.

Qendra KSRelief ka bërë me dije se minat tokësore përfshinin 110 mina kundër personave, 1 mijë e 684 mina kundërtanke, 608 mjete të pashpërthyera dhe 25 mjete shpërthyese.

Gazeta arabe “Asharq Al-Awsat” tregon se projekti MASAM ka çmontuar të paktën 303 mijë e 279 mina që nga nisja e tij.

Kjo pasi janë vendosur më shumë se 1.2 milionë mina nga milicitë në vend.

Në Aden, inxhinierët kanë hequr 287 mina antitank dhe 122 municione të pashpërthyera.

Kurse në Hodeidah, ekipet kanë pastruar një minë kundër personit, 510 mina antitank, 11 mjete të pashpërthyera dhe dy mjete shpërthyese.

Gjithashtu projekti ka hequr  14 mina antitank në provincën Lahij-it dhe 180 mjete të pashpërthyera në provincën e Marib-it.

Ekipet kanë njoftuar edhe se pastruan 293 municione të pashpërthyera, 105 mina kundër personit dhe 217 mina antitank në Shabwa dhe shtatë mina antitank në Taiz.

Sipas “Asharq Al-Awsat”, projekti MASAM kërkon të pastrojë Yemen-in nga minat që janë vendosur rastësisht nga Houthi, duke shkaktuar qindra vdekje dhe lëndime në mesin e popullatës jemenase.

Minat tokësore shihen si një pengesë e madhe për përpjekjet e zhvillimit social dhe ekonomik, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut brez pas brezi.

Për të rritur masat e sigurisë në rajon, qeveria e Yemen-it ka nënshkruar një marrëveshje për pastrimin e minave tokësore dhe mbetjeve shpërthyese të luftës.

Prandaj dhe nisja e projektit saudit për pastrimin e minave tokësore, MASAM, synon adresimin e kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj jetëve të pafajshme në Yemen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore