Lajme

Egjipti dhe Katari rifillojnë marrëdhëniet diplomatike


Të mërkurën, Ministria e Jashtme Egjiptiane lajmëroi se Egjipti dhe Katari do të rifillojnë marrëdhëniet diplomatike.

Vendimi erdhi pas një marrëveshjeje midis Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Egjiptit për t’i dhënë fund bojkotit ndaj Katarit.

Bojkoti u vendos në vitin 2017 me akuzat se Katari mbështeste terrorizmin. Kjo akuzë është mohuar gjithmonë nga shteti arabik.

Të mërkurën, shtetet shkëmbyen dy memorandume zyrtare. Në bazë të memorandumeve, të dy vendet ranë dakord të rifillojnë marrëdhëniet diplomatike.

Egjipti rihapi hapësirën e tij ajrore për fluturimet e Katarit më 12 janar.

Egjipti dhe aleatët e tij i bënë thirrje Katarit të ndërpresë lidhjet me Vëllazërinë Myslimane, midis kërkesave të tjera kur u vendos bojkoti.

Grupi islamist, u shpall i jashtëligjishëm në Egjipt. Kjo ndodhi pasi drejtuesi i ushtrisë, Abdel Fattah al-Sisi udhëhoqi përmbysjen e Mohamed Mursi-t në 2013. Pas përmbysjes, al-Sisi u zgjodh president i vendit vitin e ardhshëm.

Pjesa më e madhe e udhëheqjes së lartë të Vëllazërisë Myslimane u burgos në Egjipt. Anëtarët e tjerë u arratisën në Katar ose në Turqi.

Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kishin përplasje me Katarin për konfliktin në Libi, ku ata kanë mbështetur fraksione kundërshtare në një konflikt civil.

Burimet zyrtare nga Katari kanë njoftuar se shteti do të ndryshojë politikën e kanalit të tij televiziv, al-Jazeera ndaj Egjiptit.

Më 29 dhjetor 2013, tre gazetarë që punonin për Al Jazeera-n, Peter Greste, Mohamed Fahmy dhe Baher Mohamed u futën në paraburgim nga forcat e sigurimit egjiptian. Ata u arrestuan në Hotel Marriott, në Kajro pas një bastisje në dhomat e tyre, e cila ishte përdorur për studio lajmesh.

Burimet zyrtare konfirmuan gjithashtu se Katari do të ndalojë ndërhyrjet në politikën e brendshme të Egjiptit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore