Shqipëria

Edi Rama në Bruksel për të arritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë


Pas dërgimit të letrës në adresë të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, kryeministri shqiptar Edi Rama vijon përpjekjet për të arritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Numri një i Qeverisë u shpreh para tre ditësh se i ka dërguar letër, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE-së, Charles Michel.

Pasi tashmë duhet një shtytje e re: zbatimi me doemos i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe.

“Pardje i kam nisur një letër të dytë për domosdoshmërinë për një shtyrje të re të Francës dhe Gjermanisë si kumbëtarët e planit franko-gjerman dhe që ky plan të zbatohet me doemos”, ishin fjalët e tij.

Sipas Ramës, është e domosdoshme që Macron dhe Scholz të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë.

Të hënën, ai do të gjendet në Bruksel, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.

Çështja kryesore e diskutimit do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nevoja për të ulur në një tryezë Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin.

Kryeministri shqiptar ka propozuar një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë, për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama sqaroi se, kjo konferencë normalizimi është pa të drejtë daljeje derisa të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajit.

‘Basti’ i dikurshëm i Daytonit dhe risku i një ‘Konference normalizimi pa të drejtë daljeje’ për Kosovën dhe Serbinë

Të hënën e 26 qershorit, Kosova dhe Serbia do të jenë kryefjalë edhe për shkak të takimit të ministrave të Jashtëm që do të mbahet në Luksemburg.

Përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrel do të raportojë për situatën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe rrugën që do të ndiqet në ditët në vijim.

Më 27 qershor, Charles Michel do të zhvillojë video-konferencë me krerët e shteteve të familjes evropiane, ku do të trajtohen tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës.

Në tekstin e draftit të konkluzioneve i cili është përgatitur për t’u miratuar në takimin e liderëve të BE-së më 29-30 qershor, Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt si dhe aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin mars.

Drafti

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi fillimisht Rama gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.

“Për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”, shtoi kreu i Qeverisë.

Për Ramën, “nyja Gordiane e dialogut” do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“E kam ditur me kohë që nyja Gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificash politike apo teknike”, theksoi në vijim kryeministri.

Kryeministri shqiptar vërejti se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë “zgjidhja ideale”.

“Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.

Rama deklaroi se uron dhe shpreson që ky material “do të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut”.

Kryeministri shqiptar mendon që një asociacion që është brenda kornizës Kushtetuese të Kosovës, “në sinkron me të gjithë pritshmëritë e komunitetit demokratik, që i jep vetë administrim, vetë menaxhim, quajeni si të doni, atyre që e përbëjnë, pa e vënë në pikëpyetje asnjëherë autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës, është gjëja që i duhet sot Kosovës”.

Rama tregoi gjatë konferencës se drafti nuk ka për t’u bërë ndonjëherë publik.

“Drafti nuk është për t’u bërë publik , drafti është një material në tryezë ku mund të ketë edhe materiale të tjera. Është thjesht një kontribut, por gjëja që di të them unë është, që kush e do zgjidhjen realisht, e ka gati, ta marrë e ta aplikojë. Këtë e them me garanci 100%. Ta marrë, ta aplikojë”, ravijëzoi ai në përmbyllje.

Ndërtimi i situatës

Kujtojmë që autoriteteve kosovare po i kërkohet që të fillojnë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë.

Kjo, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës.

Nga kryeministri Kurti po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore