Shqipëria

Edi Rama: Evropa është një fe dhe askush nuk mund ta tradhtojë këtë fe në Shqipëri


“Evropa është një fe dhe askush nuk mund ta tradhtojë këtë fe në Shqipëri”. Kjo është një nga deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në intervistën e zhvilluar me gazetaren e Euronews, Giorgia Orlandi.

I pranishëm në konferencën e përvitshme “State of the Union”, mbajtur në Firence, Rama foli pas fitimit të mandatit të tretë radhazi, një rekord për një vend të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë intervistës me Euronews, ai është ndalur në një sërë çështjesh: rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian (BE), situata politike me negociatat, si dhe çështjen e shumëpërfolur të një dokumenti jozyrtar që flet për rishikimin e kufijve në Ballkan.

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së

Pyetjen se sa domethënëse është hyrja në BE për Shqipërinë, kryeministri e krahasoi me dinamikat e Këshillit Evropian.

Sipas tij, është shumë e vështirë të flasësh për të kaluarën, pasi përgjigjja e para dy viteve erdhi për shkak të dinamikës së brendshme brenda Këshillit Evropian.

Nëse bisedimet do të bllokoheshin edhe një herë, kryeministri u shpreh se “nuk planifikojmë asgjë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë për to, sepse për ne Evropa nuk është një objektiv apo destinacion politik”.

Sipas tij, “Evropa është një testament dhe, në të njëjtën kohë, ajo që u detyrohemi fëmijëve tanë. Kjo është arsyeja pse ne do të punojmë edhe më fort për ta bërë Shqipërinë një shtet evropian që funksionon plotësisht”.

Lidhur me anëtarësimin në këto momente të Shqipërisë në BE, ai tha se kjo ka qenë kuptimplotë që nga dita e parë.

Shqiptarët, sipas tij, nuk janë aspak të mërzitur për të luftuar, për të qenë pjesë e Evropës.

Sakaq, Rama u shpreh se “ne (referuar qeverisë) kemi mbaruar detyrat e shtëpisë dhe do të vazhdojmë të marrim masa”.

“Për ne, Evropa është ajo që ka qenë që ditën e parë që dolëm nga Komunizmi dhe është hera jonë e parë që ne jemi në gjendje të zgjedhim. Asnjëherë nuk e kemi pasur zgjedhjen, të tjerët vendosën për ne dhe vendi ynë ishte në hapësira të tjera, por jo në hapësirën që dëshironim gjithmonë e që është BE-ja”.

Situata politike me negociatat

Sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që po zgjat më shumë se sa pritej, kryeministri deklaroi se, “Duke mos qenë plotësisht i integruar në BE, Ballkani Perëndimor mbetet ende një zonë gri që ofron tërheqje dhe shanse për aktorët e tretë që nuk kanë të njëjtin qëndrim dashamirës dhe të njëjtat vlera e parime që ofron BE”.

“Për Shqipërinë”, tha Rama, “nuk shoh ndonjë rrezik të menjëhershëm sepse shqiptarët janë shumë fanatikë për Perëndimin dhe për BE. Vendet e tjera, pak a shumë, kanë shumë më shumë për t’u marrë me këto ndikime nga aktorë të tjerë”.

Nga momenti i refuzimit nga BE-ja në Shqipëri kanë ndodhur një sërë reformash kushtetuese dhe, sipas kryeministrit Rama, “ekziston një dallim i madh midis anëtarësimit në BE dhe hyrjes në rrugën e plotë të negociatave”.

Sidoqoftë, shton ai, në momentin që po flitet Shqipëria është gati për çeljen e negociatave.

Megjithatë, sipas tij, këtu qëndron kontradikta mes dritëshkurtësisë së Evropës, sepse Shqipëria meriton të hyjë në rrugën e plotë të negociatave.

Pyetjes për rimandatimin e tij në krye të qeverisë shqiptare, Rama u shpreh se njerëzit e Shqipërisë kanë një sens transparent mbi faktin që puna nuk është përfunduar.

“Mandati i tretë është një mandat transparent për të përfunduar punën. Nuk është shpërblimi për një punë që tashmë ishte përfunduar”, deklaroi kryeministri.

‘Non-paper’

Mbi çështjen e shumëpërfolur të një dokumenti jozyrtar (non-paper), që flet për rishikimin e kufijve në Ballkan, Rama tha se ruan një qasje tërësisht të thjeshtë.

“Deri tani”, tha ai, “duke nënkuptuar të gjithë aktorët dhe lojtarët që nga Bashkimi Evropian, SHBA-të deri te lojtarët në rajon nuk do përmbysim status quo-në, vendosur me një strategji të hapur dhe të qartë”.

Frustrimet ka të ngjarë të jenë aty dhe, sipas kryeministrit, këto koncepte që mund të jenë dhe qesharake do të shfaqen.

Në përmbyllje Rama tha se “ndërsa kemi mosmarrëveshje të thella për të zgjidhur, ne duhet të biem dakord të mos pajtohemi për to. Në të njëjtën kohë të ecim së bashku për të forcuar bashkëpunimin tonë, duke krijuar në rajon një zonë ‘Shengen’ funksionale, me të gjitha liritë e Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore