Lajme

Edhe letra e Biden për Osmanin ndryshoi, nga “njohja reciproke në qendër” prapa në “është qëllim eventual”


Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka dërguar një letër urimi në adresën e presidentes kosovare Vjosa Osmani.

Përderisa në letrën që mban datën 15 shkurt 2022, presidenti amerikan shkruante se qëllimi i SHBA-ve në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, është njohja reciproke në qendër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, në letrën e këtij përvjetori ai shkruan se njohja reciproke është qëllim eventual.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqëndruar në njohjen reciproke”, shkruante presidenti Biden një vit më parë.

Në letrën që është publikuar të enjten (sot) nga presidenca, presidenti Biden shkroi se e mirëpret po-në’ e autoriteteve kosovare për propozimin e Bashkimit Evropian me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve dhe njohje eventuale.

“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin me qëllimin eventual të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, para dy viteve, saktësisht më 5 shkurt të vitit 2021, kur Kosova po hynte në zgjedhje nacionale e që më pas fitues me mbi 50 përqind të votave do të dilte Albin Kurti, presidenti Biden do t’i dërgonte një letër urimi presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, por atëherë më shumë do të gëzoheshin kosovarët sesa serbët.

Biden do ta përdorte një togfjalësh që do të skandalizonte politikën serbe, por që do t’i jepte shtytje ambicieve dhe shpresave të Kosovës për të fituar njohjen nga Serbia në kuadër të dialogut, pra “njohjen reciproke” në qendër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Ju inkurajojmë të vazhdojnë hapat e vështirë drejt arritjes së këtij qëllimi – përfshirë instituimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën me njohjen reciproke në qendër”, shkruante Biden.

Ndryshe, një letër në formë urimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit që u dërgua të mëkurën e kësaj jave në adresë të Vuçiç-it, me rastin e Ditës së Shtetësisë të Serbisë, shkaktoi reagime të shumta edhe në Kosovë për shkak të përmbajtjes së saj jo të rëndomtë.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkroi se “liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira”, pa përmendur qëndrimin e amerikanëve se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje.

Ndërkaq, presidenti serb letër urimi pranoi edhe nga Biden, por nuk dihet nëse ai ia ka përmendur në mënyre eksplicite njohjen reciproke homologut të tij serb, sepse urimi që presidenti amerikan nisi për Vuçiç-in, nuk është publikuar i plotë nga presidenca serbe.

Por, ndonëse jo njohjen siç pretenduan mediat serbe, presidenti amerikan e ka ftuar sërish shtetin serb t’i bashkohet sanksioneve perëndimore të vendosura kundër Rusisë për agresion në Ukrainë .

“Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të partneritetit të vendeve tona dhe miqësinë e popujve tanë. Së bashku, ne duhet të vazhdojmë mbështetjen e popullit të Ukrainës dhe ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për luftën kundër Ukrainës”, shkroi Biden.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore