Lajme

Edhe Haradinaj pajtohet për tërheqjen e një përqindje të Trustit


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Përveç Partisë Demokratike të Kosovës, edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur pëlqimin e tij që t’u mundësohet qytetarëve tërheqja e një përqindje të caktuar të mjeteve të Trustit pensional.

“Qytetarët e Kosovës janë në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale. Shtrenjtimi i artikujve elementarë për jetesë ka shtyer shumë kategori që të përballen gjithnjë e më shumë me mbijetesën ekonomike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Prandaj”, arsyeton Ramush Haradinaj, “e konsideroj si një hap të parë urgjent, aprovimin e një vendimi që lejon qytetarët të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve nga trusti pensional”.

Sipas kreut të AAK-së, në situata të jashtëzakonshme s’ka si të mos ketë edhe vendime të jashtëzakonshme.

“Natyrisht, krahas kësaj mase”, pohon ai, “qeveria duhet të mendojë edhe për masa tjera, në këtë kohë të vështirë e të papërballueshme për qytetarët”.

Partia Demokratike e Kosovës qe e mendimit që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e deri në 30 përqind të mjeteve të trustit pensional.

Sipas deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili e ka diskutuar më së shumti një gjë të tillë, rritja e çmimeve të artikujve bazikë në vend e bën të nevojshme që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e parave të trustit.

Gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, 197 milionë eruo ishin tërhequr nga qytetarët e Kosovës në një kohë krizeje të rëndë pandemike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore