Lajme

‘Economist’: Nëse fëmija i parë është vajzë, rritet rreziku i divorcit të prindërve


E përjavshmja ndërkombëtare “Economist” ka konfirmuar përmes një artikulli se, nëse fëmija i parë lind vajzë, atëherë rritet rreziku i divorcit të prindërve të atij fëmije.

Studimi është kryer dhe provuar si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Holandë.

Jan Kabatek nga Universiteti i Melburnit dhe David Ribar nga Universiteti Shtetëror i Georgias, në Atlanta, shqyrtuan edhe efektin e moshës së vajzës.

Rreziku i “divorcit” shfaqet vetëm në vitet e adoleshencës së vajzës.

Para se të mbushin moshën 12-vjeçare, vajzat nuk janë më të lidhura me çiftet që ndahen sesa djemtë.

Motivet

“Nëse baballarët do të kishin më shumë gjasa të largoheshin sepse preferonin djemtë, me siguri nuk do të prisnin 13 vjet për ta bërë këtë”, arsyeton Kabatek.

Kësisoj, argumenton ai, fakti që rreziku është kaq specifik për moshën kërkon një shpjegim tjetër.

Prindërit, sipas tij, grinden më shumë për rritjen e vajzave adoleshente sesa për djemtë adoleshentë.

Ndër vite, efekti i vajzës, megjithëse i vërtetë, është i vogël.

Në Holandë, kur fëmija i parë ka mbushur 18 vjeç, 20,12% e çifteve do të jenë divorcuar nëse ai fëmijë është djalë, krahasuar me 20,48% nëse ajo është vajzë.

Në SHBA, të dhënat e mbledhura nga studiuesit ishin më të rralla se ato në Holandë, por shifrat janë afërsisht dyfishi i tyre.

Sondazhet

Sondazhet konfirmojnë se vajzat dhe baballarët adoleshentë, në veçanti, nervozojnë njëri-tjetrin.

Ato gjithashtu tregojnë se prindërit e vajzave adoleshente debatojnë më shumë për prindërimin sesa prindërit e djemve.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar gjithashtu se një nga gjërat më të zakonshme, për të cilat prindërit grinden, është se sa duhet të kontrollojnë zgjedhjet personale të adoleshentëve të tyre.

Në dritën e gjithë kësaj, është intriguese të theksohet se studiuesit gjetën një lloj çifti që gëzon imunitet nga ky fenomen.

Rastet në të cilat babai është rritur me një motër.

“T’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i një motre mund të veprojë si një lloj vaksinimi shoqëror”, përmbyllet artikulli i “Economist”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore