Përballje

E Hëna në Serie A vjen më dy ndeshje vendimtare për zonën Champions


Java e 33-të në elitën e futbollit italian, Serie A, do të mbyllet të hënën me dy ndeshje tejet interesante.

Në ora 18:30, Napoli do të luajë në udhëtim te skuadra e Torinos për të kërkuar vendin e katërt në tabelë, zonë kjo që dërgon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Ekipi i Gattusos do të kërkojë me ngulm fitoren ndaj torinezëve, për të shfrytëzuar hapin fals të Juventusit si dhe ndeshjen direkte të cilën e luajnë po në të njëjtën ditë Milano me Lazion.

Në anën tjetër edhe për Torinon do të jenë shumë të rëndësishme pikët në këtë ndeshje, pasi që skuadra “granata” po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit italian.

Napoli vjen në këtë takim pas asaj fitores fantastike ndaj Lazios me rezultat 5:2, deri sa Torino në ndeshjen e fundit barazoi kundër Udineses 1:1.

Ndeshja e parë të zhvilluar në stadiumin “Diego Armando Maradona” përfundoi me rezultat 1:1.

Kryendeshja e xhiros së 33-të në Serie A do të zhvillohet në ora 20:45, në kryeqytetin e Italisë, aty ku Lazio e pret Milanon.

Milano do të kërkojë patjetër fitoren për t’u rikthyer në vendin e dytë në tabelë dhe për të mbetur në garë për zonën Champions.

Në anën tjetër edhe për Lazion vetëm fitorja do të jetë shansi i fundit për të shpresuar një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Trjaneri i Milanos, Stefano Pioli nuk do të ketë në dispozicion sumuesin kryesor, Zlatan Ibrahimovic i cili nuk është në formë të mirë fizike, deri sa në sulm pritet ta zëvendësoj Mario Mandzukic, për të cilin do të ishte ndeshja e parë si titullar që prej se u transferua në Milano.

Ndërsa homologu i tij, Simone Inzaghi nuk do të mund të llogarisë për këtë ndeshje në mbrojtësin Luiz Felipe.

Milano aktualisht gjendet në vendin e tretë në tabelë me 66 pikë nga 32 lojë të zhvilluara, ndërsa skuadra e Lazios ka 58 pikë, por kanë një lojë më pak të luajtur.

Ndeshja e parë e këtij sezoni që u zhvillua në stadiumin “San Siro” të Milanos, përfundoi 3:2 në favor të vendasve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore