Shqipëria

E enjtja e ‘prime time’ për vendoret – Pa politikë, me show


Njihet gjerësisht si “prime time” dhe e thënë shkurtimisht, është koha më e lakmuar televizive, e cila pretendohet se ndiqet nga personat më të shumtë në një vend dhe në Shqipëri, sa i takon politikës, përkon me të orën 21:00 të ditëve të enjte në çdo javë.

Nuk është rastësi që edhe televizionet zgjedhin pikërisht këtë fashë orare, për të pasur në “menynë e tyre televizive” personazhin më të duhur të mundshëm për të rrokur audiencën.

Një javë përpara përmbylljes së fushatës elektorale, nuk kishte si të ndodhte ndryshe për mediat kryesore në Shqipëri, ku aktorët kryesorë politikë, u panë në ekrane nga shikuesit.

Afërmendsh, dikush do të mendonte se është folur për fushatën elektorale – të zbehtë tej mase këto zgjedhje – për t’i dhënë një mundësi vetes dhe audiencës, të dëgjojë një program vendor të shpalosur.

Kështu nuk ishte!

Në orën 21:00 të saktë, nisën transmetimin të gjithë dhe të ftuar nëpër studio ishin kryeministri Edi Rama, drejtuesi i lëvizjes opozitare, Sali Berisha, bashkëdrejtuesi i opozitës, Ilir Meta, apo kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Tre prej tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë jo pjesëmarrës në zgjedhje, pasi nuk kanë qëllime fitore në bashki për pozitë personale, kanë poste më të larta tashmë.

Kryeministri Rama, fjala bie, u mor kryesisht me punët që SPAK duhet të kryejë me shpejtësi, apo me akuza ndaj rivalëve të tij nga “mbrapa” kohës, Berisha e Meta.

“Ilirin e tërheq zullumi, sot është njeriu më i papëlqyer në Shqipëri”, thotë ai në emision, duke e përligjur faktin se në dy orë emision, merret me të dy opozitarët sepse janë kërcënim për vendin, ndërsa Enkelejd Alibeajn, drejtuesin e komanduar të Partisë Demokratike, e quan “fatkeqësi”.

Berisha po ashtu me gjuhën e tij të denigrimin, nuk ia përton të nisë një monolog rreth 30-minutësh, ku tregon disa grafikë rreth pëlqyeshmërisë së kandidatëve në gjithë Shqipërinë.

I ftuar në “Opinion” përballë katër gazetarëve, në dy orë transmetim, e vetmja gjë që Berisha flet për fushatën zgjedhore, është fakti se pretendon se do të fitojë 50 bashki dhe se buxhetimin e ka përmes financimit privat.

Pjesa tjetër është akuza e madhe që ngrin ndaj Veliajt se ka qenë në Iran me mision në vitin 2008, me foto me paruke të dyshimta nëse photoshop a jo dhe me ftesa publike për debate kundrejt “të rrezikshmit” Rama, a thua se vetë ata janë personazhet kryesore në këtë sagë.

Qershia mbi tortë vjen në fund, kur thotë se as që ka ndërmend të heqë dorë nga politika, madje se lëvizja e tij sapo ka filluar.

Meta ndërkohë, “prime time” e shfrytëzon për vetëmbrojtje dhe për sulme të tjera personale. Kryeministrin Rama e quan “të droguar”, veten e tij në një salut “quasi-nazist” të pamposhtur dhe gjendjen e Partisë së Lirisë, të cilën e drejton, në një nivel me 70-80 mijë vota në Tiranë, që teorikisht mund t’i jepte 4-5 mandate parlamentare nëse do të ishin zgjedhjet e përgjithshme.

Por, e kuptueshme nga të tre të merren me veten dhe jo fushatën, duke qenë se këto zgjedhje nuk janë të tyret.

Atij që i interes të ketë vëmendje mediatike si kandidat direkt, është Erion Veliaj, duke qenë se kërkon mandatin e tretë për Tiranën.

E tregoi ai një vizion për Tiranën?

Në më të mirin e rasteve, “imitoi” tre të parët.

“Nga mitra e PS nuk mund të dalin 17 parti si PD”, tha krenar në hapësirën e mundësuar televizive, duke i kujtuar të gjithëve se në fakt lufta s’po bëhet për këto zgjedhje, por për ato të vitit 2025.

Kryeministrin Rama, ai e quan “vëllain e madh” me të cilin në çdo ditë të 20 vjetëve të fundit, një nuk e ka kaluar pa folur. Në debat me rivalin Belind Këlliçi, nuk del sepse nuk merret me non grata, edhe pse vetë Këlliçi shkon e vjen nga SHBA sa herë të dëshirojë.

Ndërsa, mbi të gjitha, rëndësi ka të “mbrohen” shokët, kur bën me dije se krenaria e tij më e madhe, është fakti se artistët që e mbështesin në fushatë, është Bashkia Tiranë që i mbështet dhe financon më shumë, për aktivitetin e tyre muzikor dhe koncertor.

Spektakle të tilla “financofshin” taksapaguesit gjithmonë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore