Sport

Dzeko: Milani nuk është rastësisht në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve


Edin Dzeko ishte i qartë për ambiciet e Interit dhe “urinë” e tyre përpara ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me Milan-in.

Zikaltrit morën një fitore të thellë në mbrëmjen e kaluar në udhëtim te Hellas Verona me rezultat 0:6, duke marrë sinjale pozitive para ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit në Champions.

Ndërkohë, rivalët e qytetit, Milan-i, janë në një moment relativisht më të vështirë, pasi kanë barazuar dy ndeshjet e fundit në ligë kundër Cremonese-s dhe Romës .

Duke folur për “Sky Sports Italia”, Dzeko reagoi fillimisht për fitoren 6:0 të Inter-it ndaj Veronës, si dhe rikthimin te goli, që i mungonte që nga finalja e Superkupës ndaj Milan-it më 18 janar. Në fakt, Dzeko shënoi dy gola në mbrëmjen e kaluar.

“Natyrisht që më ka munguar goli, por tashmë i kam shënuar golat e mi më të rëndësishëm, nuk është se vuaj kur nuk shënoj”, tha Edin Dzeko.

“Sigurisht që është e rëndësishme për një sulmues, por unë nuk i shikoj statistikat. E rëndësishme është të shkojmë në finalen e Ligës së Kampionëve, të kualifikohemi edhe për sezonin e ardhshëm në Champions me Inter-in dhe të fitojmë Kupën e Italisë”, shtoi sulmuesi boshnjak.

Më pas ai u pyet nëse Inter-i ndihej më i fortë se Milan-i pasi i kaloi në tabelë. Dy skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve javën e ardhshme.

“Milani është një ekip i fortë, ata nuk janë rastësisht në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Por ne besojmë në veten tonë, e dimë se kemi shumë lojtarë të fortë”, theksoi Dzeko.

“Ndoshta herë pas here humbasim ndërgjegjësimin dhe humbim ndeshje që nuk duhet t’i humbim, por nuk duhet të kthehemi kurrë pas. Sot është një fitore e rëndësishme, të tjerat do të jenë edhe më shumë”, ka thënë mes tjerash Dzeko.

Kujtojmë që aktualisht Inter-i është në vendin e katërt në tabelë në Serie A (zona Champions) me 60 pikë, vetëm dy më shumë se Atalanta dhe Milan.

Me pesë ndeshje të mbetura për të luajtur, gara e katër më të mirëve është ende e hapur dhe bëhet gjithnjë e më e tensionuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore