Sport

Dyshime për manipulime në futboll, Ballkani letër të hapur krerëve të shtetit në Kosovë


“A jemi ne duke luajtur futboll, apo jemi duke bërë ‘matematika’, sepse ne si klub jemi regjistruar në FFK për të luajtur futboll, e jo për të bërë ‘kalkulime’”, thuhet në letrën e hapur që klubi i futbollit kosovar, FC Ballkani, ua ka drejtuar Presidentës, Kryeministrit dhe Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Nëpërmjet llogarisë së faqes zyrtare në facebook, FC Ballkani nga Suhareka, ka shprehur pakënaqësitë e tyre me Superligën e Kosovës në futboll.

Ata kanë thënë se në fundin e çdo kampionati, bëhen kalkulime për ekipet dhe se dihet se kush do të luajë në Evropë.

“Si është e mundur që opinioni të dijë, e me javë para ndeshjes dinte si do të përfundonte ndeshja. Cili klub cilit klub tjetër po ia lëshon lojën, cili klub e lëshon kupën për kampionat, e cili klub e lëshon kampionatin për kupë etj”, shkruhet në letrën e klubit nga Suhareka.

Sipas tyre, futbolli në Kosovë është duke u shkatërruar dhe se për këtë kanë drejtuar akuza të rënda ndaj klubeve dhe FFK-së.

“Mjafton t’i shohim vetëm ndeshjet e muajit të fundit në kupë dhe të kampionatit që të arrijmë në përfundimin se futbolli në Kosovë ka degraduar në çdo aspekt”.

“Fatkeqësisht në krejt këtë maskaradë janë të përfshirë disa klube, disa mbetje politike dhe FFK, kjo e fundit në mënyrë mjeshtërore kryen punën e saj duke vendosur cili klub do bëhet kampion, e cili do ta fitojë kupën, si dhe cili do mbetet pa asgjë”, thuhet në reagimin e klubit të futbollit FC Ballkani.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore