Lajme

Dy shpërthime në Veri – s’ka të lënduar


Mitrovica e Veriut.

Dy shpërthime në Mitrovicë të Veriut kanë ndodhur mbrëmë pas mesnatës, por nuk është raportuar për të lënduar.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori rajonal për Veri, Veton Elshani.

Duke thënë se kanë qenë “bomba ose fishekzjarrë”, por që akoma nuk janë identifikuar.

“Nuk ka raportime për dëme apo të lënduar”, tha Elshani për AP.

Ndërsa ka shtuar se, “situata në Veri dhe në komunat e tjera në Veri ka qenë e qetë gjatë natës dhe vazhdon të jetë e tillë”.

Më 16 qershor ishte raportuar për pesë shpërthime në Veri.

Rreth mesnatës, në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit kishin ndodhur pesë shpërthime në afërsi të stacioneve policore.

Që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Ndërsa më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, u përkeqësuan edhe më tej, pasi shteti i Serbisë, arrestoj tre zyrtarët policorë të Kosovës.

Serbia po pretendon se policët nga Kosova u arrestuan thellë brenda territorit të saj.

Në anën tjetër Kosova tha se ata ishin brenda territorit të vendit.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore