Kosova

Dy persona arrestohen për “vrasjen në tentativë” në Prishtinë


Ilustrim.

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës të cilët dyshohen për rastin “Vrasje në tentativë”.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes raportit 24-orësh në të cilin sqarohet se rasti ka ndodhur të dielën.

“Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10:30, në lagjen “Përroi i njelmët” në Prishtinë , me ç’ rast, viktimat kishin pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë që dyshohet të jetë përdorur nga të dyshuarit e përfshirë në rast”, thuhet në raport.

Teksa është thënë se rasti vazhdon të jetë në procedura hetimore dhe janë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit ndaj të cilëve policia ka iniciuar hetim.

Me aktvendim nga ana e prokurorit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Po ashtu, në komunën e Podujevës në raport është bërë e ditur se janë arrestuar katër të dyshuar dhe është sekuestruar një armë.

“Të arrestuarve me inicialet B.Z., 20-vjeçar, M.H., 23-vjeçar dhe Rr.H., 57-vjeçar, iu është iniciuar vepra penale vetëgjyqësi”.

Kurse të arrestuarit Rr.Z., 56-vjeçar, i janë iniciuar veprat përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Nga Policia është sqaruar se sekuestrimi i armës rezultoi pas marrjes së informatës për të shtëna me armë zjarri në atë zonë.

“Të dyshuarit, pas arrestimit, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u dërguan në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor”, thuhet në njoftimin policor.

Ndërsa për javën e kaluar Policia ka thënë se në komunën e Ferizajt janë raportuar katër raste për dhunë në familje, një prej tyre në Kaçanik dhe një rast në Shtime.

Nga Policia u tha se me vendim nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, tre persona janë liruar në procedurë të rregullt të mëtejme hetimore, ndërsa një person është në kërkim policor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore