Lajme

Dy anëtarë të shërbimeve sekrete ruse kërkojnë azil në Francë


Disa anëtarë të shërbimeve sekrete ruse kanë arritur tashmë të largohen nga Rusia në muajt e fundit dhe të kërkojnë azil jashtë vendit.

Burimi i këtyre lajmeve është një disident rus, i cili ka fituar nderim dhe besueshmëri për një sërë ankesash të dokumentuara: Vladimir Osechkin, themelues i projektit të të drejtave të njeriut Gulagu.net.

Osechkin deklaroi më herët se një agjent i FSB-së ruse dhe një mercenar nga brigada Wagner, kanë arritur të mbërrijnë në Francë ku kanë aplikuar (dhe me sa duket do të marrin) azil politik.

“Një person – shpjegon ai – është i lidhur me punën e selisë dhe ekipit të [Yevgeny] Prigozhin, ndërsa tjetri është një oficer i FSB-së. Të dy përfunduan në të njëjtin avion dhe të dy dërguan kartën e imbarkimit, sipas marrëveshjeve [i kishim dhënë njëri-tjetrit]”, shpjegon Osechkin.

Tani hapet një kapitull që ka të bëjë me procedurat franceze.

“Secili prej tyre do të dëshmojë për krimet e luftës dhe shpresojmë të ketë mundësinë të bashkëpunojë me hetimin ndërkombëtar dhe të dëshmojë kundër Yevgeny Prigozhin dhe të tjerëve të regjimit të Putinit”, sqaroi ai.

Osechkin thotë se informacioni në posedim të spiunit dhe mercenarit “ka të bëjë me mënyrën në të cilën u krijua grupi Wagner nën Ministrinë e Mbrojtjes Ruse dhe GRU-së”.

Autoritetet ruse gjithmonë kanë mohuar të kenë ndonjë lidhje, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me Wagner ose me kompani të tjera mercenare private.

Dhe kjo dëshmi do të vërtetonte të kundërtën, domethënë se vetë krijimi i Wagner-it ndodh si një degë e GRU-së, shërbimeve të inteligjencës ushtarake të Moskës.

Disa agjenci evropiane të inteligjencës janë alarmuar për këtë, sepse siç dihet gjerësisht për të gjithë, ata që largohen nga Rusia bëhen menjëherë një objektiv ndërkombëtar, veçanërisht nëse zotërojnë informacione të klasifikuara të llojeve të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore