Shqipëria

Duhet të mbrojmë gjuhën shqipe, thotë Rama në Kongresin për Arsimin


Gjuha shqipe është në rrezik.

Ky është pohimi që artikuloi kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë Kongresit për Arsimin, duke theksuar se ajo duhet mbrojtur me çdo kusht, për shkak të presionit të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe mundësia për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse.

“Mësimi i shqipes dhe arsimimi i popullit shqiptar ishte për delegatët e kongresit të Manastirit mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit”, përsiati kreu i Qeverisë, duke përmendur edhe lëshimin e Abetares së parë të unifikuar, e cila zë vend në bankat e shkollës prej ditës së sotme.

Brezi i ri sipas Ramës, duhet të përfshihet me doemos në komunikimin e ri digjital, por jo duke anashkaluar gjuhën shqipe.

“Besoj se na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh, rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë”, vijoi më tej ai.

Një ndër arsyet kryesore për një “masakër gjuhësore” të pretenduar nga kryeministri, është edhe fakti se libri po bëhet gjithnjë e më huaj për të rinjtë, në fjalët e tij.

Unifikimi, po ashtu, nuk duhet të mbetet thjesht një aspekt që i takon Kosovës dhe Shqipërisë zyrtarisht tashmë, por gjithë trevave shqiptare.

Këtë gjë, ai e nënvizoi edhe gjatë ditës së djeshme, kur një ceremoni simbolike u zhvillua për inaugurimin e Abetares unike, e cila do të ofrohet edhe në një version digjital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore