Shqipëria

Dritan Leli: Nuk e kuptoj këmbënguljen për të krijuar mizanskena në teatër


Në një deklaratë në Facebook, të martën e 29 qershorit, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, u shpreh se nuk e kupton këmbënguljen e vazhdueshme për të krijuar mizanskena në teatër.

Më tej, ai shkruan se gjithçka ka funksionuar më së miri, online.

“I kisha kërkuar Këshillit Bashkiak që ta zhvillonim sot mbledhjen e radhës, atë që u pezullua po prej këshillit, megjithëse e planifikuar prej tij, dhe u shty pa rënë dakord, për në datën 30. 06. 2021”, shkruan fillimisht Leli.

Sipas tij, e gjithë kjo, shpalos një situatë jo normale dhe jashtë funksionit të Këshillit të Bashkisë. Megjithatë, për shkak të një agjende të programuar kohë më parë, ai u shpreh se kishte njoftuar që nuk mund të merrte pjesë.

“Do doja të isha i pranishëm, duke u qëndruar të gjitha pikave që kërkohen, siç do doja që kjo mbledhje të ishte zhvilluar më parë, në datën e paracaktuar, për të mos zvarritur jo vetëm nevojat ekonomike të familjeve e fëmijëve në nevojë, por edhe për të proceduar me pompat e ujit që, ndërkohë, mund të ishin blerë dhe komunitet e Vlorës, Nartës e Zvërnecit, t’iu ishin afruar zgjidhjeve që kërkojnë”, theksoi Leli në deklaratën e tij.

Ai shton se mund të jetë e rëndësishme forma për të krijuar karaktere e realitete imagjinare, por në atë që bëhet dhe duhet arritur, vendndodhja nuk ka pasur asnjëherë rëndësinë e përmbajtjes.

Leli në vijim tha se shpresonte se mbledhja e sotshme do të realizohej, në pamundësi për ta kryer gjatë ditëve në vazhdim.

“Promovimi dhe zhvillimi i Vlorës, bashkë me programet e qeverisë, në të gjitha sferat ku mund të afrohet me zhvillimin e vendeve të rajonit, është programi im i çdo dite. Uroj që të kemi të njëjtin qëllim, sepse nuk ka rrugë tjetër për të ndihmuar qytetin!”, përmbylli kryebashkiaku i Vlorës, fjalën në statusin e tij.

Saga “Leli”

Çështja kryesore e socialistëve në Vlorë, është debati në distancë që kryeministri Rama ka me kreun e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kjo, pas mos pranimit të këtij të fundit, për të garuar për deputet në kampin socialist, në zgjedhjet e 25 prillit.

Një “sagë” e vërtetë është zhvilluar gjatë javëve të fundit, pas dështimeve të njëpasnjëshme të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Vlorës.

24 qershori ishte data e radhës, kur mbledhja e Këshillit dështoi. Anëtarët kishin planifikuar një mbledhje, por ajo u anulua, për shkak të mospranimit të formës së saj.

Anëtarët e Këshillit kanë kërkuar të jenë në person, ndërsa Leli një mbledhje virtuale. Këto përplasje kanë qenë të vazhdueshme.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndërkaq, ka dalë edhe një deklaratë mbi protokollet kundër Covid-19, ku theksohet se ato nuk e ndalojnë mbledhjen në person, nëse respektohen kushtet.

Përtej këtij konflikti socialist, me në qendër Lelin, puna për projektet zhvilluese ka vijuar.

Bypass-i i Vlorës është një ndër projektet më madhore, i cili pritet të përfundojë pjesërisht në mes të korrikut.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë përfundon, po ashtu, së shpejti sipas kryeministrit, pas inspektimeve të 26 qershorit.

Puna vijon edhe për tre porte të veçanta: Një turistik, një mallrash dhe një peshkatarësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore