Lajme

Drejtori i SHSKUK-së: Delta s’po kursen as fëmijët e gratë shtatzëna


Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se tani po përjetojnë një valë të rëndë të pandemisë.

Krasniqi ka alarmuar për numrin e pacientëve që janë në gjendje të rëndë e që aktualisht po trajtohen në disa klinika të QKUK-së.

“Sot 78 pacientë janë në gjendje të rëndë të shtruar në spital. Mendojmë se varianti Delta ka fituar shumë sa i përket mundësisë që përhapet. Kjo valë po përcillet edhe me prekje të grup moshat e reja, madje duke mos kursyer edhe fëmijët e vegjël, madje kemi pasur humbje edhe jete te gratë shtatzëna”, ka thënë Krasniqi për A2 CNN.

Ai ka treguar se janë duke u trajtuar edhe qytetarë nga Shqipëria në spitalin e Gjakovës dhe të Prizrenit.

“Sot, kemi 8 pacientë që po marrin trajtim në këto dy spitale, njëri prej tyre po merr trajtim në spitalin e Prizrenit dhe 7 qytetarë të tjerë në Gjakovë”, ka deklaruari ai.

Fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit ka pasur ngritje të numrit të infeksioneve në Kosovë, dhe rasteve të vdekjeve si shkak i COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së enjte ka njoftuar se vaksinimi do të bëhet edhe gjatë vikendeve dhe ditëve të festave, që të imunizohet popullata. 

Gjendja me COVID-19 në spitalet e përgjithshme në Kosovë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka bërë të ditur se të enjten në spitalet dhe klinikat e Kosovës, janë të shtrirë 1 mijë e një pacientë të infektuar me Coronavirus.

Prej tyre 78 janë në gjendje të rëndë, derisa 922 po trajtohen ne oksigjenoterapi.

Gjatë ditës së enjte në Kosovë 19 persona kanë vdekur kurse janë 703 raste të reja me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 851 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 2 mijë e 255 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 20 mijë e 652.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 19 mijë e 458.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore