Muzikë

Drake thumbon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”, thotë se “nuk është matës i saktë i suksesit”


Rep artisti, Drake, i cili ka një histori antagoniste me ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”,  hyri në Instagram pak para se evenimenti i së dielës të 4 janarit të niste, për të bërë të qartë se nuk ishte i interesuar t’i përgëzonte fituesit.

“Të gjithë ju artistë të jashtëzakonshëm mbani mend se kjo shfaqje nuk paraqet fakte – është vetëm mendimi i një grupi njerëzish emrat e të cilëve mbahen sekret”, shkroi Drake.

“Urime për këdo që fiton diçka për hip hop, por kjo shfaqje nuk dikton industrinë e muzikës”, ka shtuar ai.

Drake e shkroi mesazhin mbi një video të tij duke mbajtur një fjalim pranimi në ceremoninë e vitit 2019, gjatë së cilës ai vuri në pikëpyetje vetë nevojën për një ceremoni  “Grammy”.

“Ne luajmë në një sport të bazuar në opinion, jo në një sport të bazuar në fakte”, tha ai në atë kohë.

“Nuk është NBA. Ky është një biznes ku ndonjëherë i takon një grupi njerëzish që mund të mos e kuptojnë se çfarë ka për të thënë një fëmijë i racës së përzier nga Kanada ose një vëlla nga Hjustoni, vëllai im Travis”, vazhdoi ai.

“Ju tashmë keni fituar nëse keni njerëz që i këndojnë këngët tuaja fjalë për fjalë, nëse jeni një hero në vendlindjen tuaj. Nëse ka njerëz që kanë punë të rregullta që dalin në shi, në dëborë, duke shpenzuar paratë e tyre të fituara me vështirësi për të blerë bileta për të ardhur në shfaqjet tuaja, nuk ju nevojitet kjo pikërisht këtu, ju premtoj, ju tashmë keni fituar”, pati përfunduar Drake aso kohe.

Drake u nominua për disa “Grammy” këtë vit përmes albumit të tij të vitit 2022 me 21 Savage, “Her Loss”.

Projekti u nominua për albumin më të mirë rap, kënga e tyre “Rich Flex” u nominua për këngën më të mirë rap ashtu edhe për performancën më të mirë rap, dhe kënga “Spin Bout U” mori vlerësimin e performancës më të mirë melodike rap.

Por, Drake refuzoi të merrte pjesë në “Grammy 2024”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore