Lajme

Drafti i BE-së: Zgjerimi me Ballkanin Perëndimor mbetet kyç


Bashkimi Evropian.

Këshilli i çështjeve të përgjithshme do të mbajë takim përsëri me vendet e Bashkimit Evropian, në këtë takim pritet që diskutohet përsëri për procesin e zgjerimit dhe procesin e stabilizim-asocimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky takim i cili do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel, në një draft të konkluzave të përgatitura nga Presidenca sllovene e BE-së merren parasysh edhe Raportet e Progresit, që për këto vende i ka miratuar dhe publikuar Bashkimi Evropian.

“Këshilli rikonfirmon përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit, i cili mbetet politika kyçe e Bashkimit Evropian”, thuhet në draftin e konkluzave që ka parë Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq theksohet se, “ky proces është investim në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në Evropë”.

Tutje në këtë konkluzë thuhet se anëtarësimi në BE duhet të jetë në mbështetje të vlerave themelore.

“Këshilli nënvizon se mbështetja e vlerave themelore të BE-së dhe perspektiva evropiane është një zgjedhje e vendosur strategjike, thelbësore për të gjithë partnerët që synojnë anëtarësimin në BE”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, nga vendet e rajonit kërkohet që t’i përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian.

Ndërsa, po ashtu kërkohet që edhe politikat e tyre për ruajtjen e ambientit të përshtaten me strategjinë e BE-së.

Kjo pritet të bëhet përmes “agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor” dhe do të jetë pjesë përbërëse e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli nënvizon se sundimi i ligjit do të jetë një element kyç, nga i cili do të varet dinamika e përparimit të vendeve të rajonit në procesin e integrimeve evropiane.

Vendeve të rajonit i është bërë thirrje që të punojnë për bashkëpunim rajonal, veçanërisht drejt zbatimit të marrëveshjes për tregun e përbashkët rajonal, si dhe të punojnë për pajtim dhe fqinjësi të mirë.

Edhe një herë tërhiqet vërejtja se mohimi i gjenocidit, relativizmi i krimeve të luftës dhe madhërimi i kriminelëve nuk kanë vend në Evropë dhe se shkojnë kundër vlerave evropiane.

Në këtë draft nga Kosova kërkohet zbatimi i marrëveshjeve nga dialogun, po ashtu që të dy vendet të angazhohen me vullnet të mirë në këtë proces, në frymën e kompromisit, për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

Flamuri i Bashkimit Evropian dhe i Kosovës.

“Këshilli përsërit pritjet e fuqishme që të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, të respektohen dhe zbatohen pa vonesa. Të dyja palët duhet, po ashtu, t’i shmangin veprimet që dëmtojnë stabilitetin, si dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialogun”, thuhet në këtë draft konkluzash.

Ndërsa, është mirëpritur konfirmimi i Qeverisë së re të Kosovës për përkushtimin ndaj rrugëtimit evropian dhe reformat e lidhura me këtë.

Ky këshill, konsideron se zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt dhe zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor, janë zhvilluar mirë dhe në mënyrë transparente.

“Ato ishin edhe konkurruese, me përjashtim të hapësirave me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në dokument.

Por, kërkohet që Kosova të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe të dëshmojë rezultate në luftën kundër korrupsionit, si dhe t’i zbatojë reformat në përputhje me standardet evropiane.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk ka ndonjë risi.

Përsëritet se “Këshilli e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës” dhe kujtohet se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin, Parlamenti Evropian e ka mbështetur, porse tash çështja ndodhet në shqyrtim në Këshill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore