Lajme

Dorëzohet në Polici 15 vjeçari për vrasjen e nxënësit në Prishtinë


Shkolla fillore “Hilmi Rakovica” në Prishtinë

Në policinë e Kosovës, një 15 vjeçar është dorëzuar për vrasjen e 14 vjeçarit në në rrugën “Fahri Fazliu”, në mëngjesin e 1 marsit.

“Personi i dyshuar E.V, mashkull 15 vjeç, është dorëzuar në polici dhe i njëjti është në masën e arrestit policor. Personit të dyshuar  i është sekuestruar një armë e ftohtë thikë, që dyshohet të jetë përdorur në rast”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Viktima është therrur me thikë për vdekje, derisa po shkonte në shkollën “Hilmi Rakovica”, ku po vijonte klasën e nëntë.

PK-ja, bën të ditur se kanë filluar të gjitha procedurat lidhur me këtë rast.

“Në prezencë të avokatit të personit të dyshuar, në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe zyrtarët e Qendrës për punë sociale, hetuesit ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”.

Më 1 mars, një djalë 14 vjeç ka ndërruar jetë pas plagëve të marra me thikë në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Albanian Post se rasti ka ndodhur rreth orës 7:3o në rrugën Fahri Fazliu.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore”.

“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se  personi ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë) dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF), ku dhe është konstatuar vdekja e tij”, ka treguar Ahmeti.

Sipas, Skënder Halimit, drejtorit të shkollës “Hilmi Rakovica”, Skender Halimi, 14 vjeçari nuk ka vdekur brenda objektit të shkollës, por afër qendrës së mjekësisë familjare në këtë lagje, ku dyshohet edhe që është therurr me thikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore