Lajme

“Dora barbare, nuk i kurseu as të miturit”, Haradinaj kujton të rënët në masakrën e Pastasel të Rahovecit


“Kujtojmë motrat e vëllezërit tanë, që u martirizuan 24 vjet më parë në Pastasel të Rahovecit”, ka kujtuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Dora barbare, nuk i kurseu as të miturit, as gratë e pleqtë, në tentim të zhbërjes së qenies tonë. Përgjegjësit për këtë krim makabër mbesin ende të pandëshkuar!”, ka shkruar Haradinaj.

“Përjetësisht të përulur para sakrificës së madhe, që kurrë nuk e harrojmë”.

Masakra në Pastasellë të Komunës së Rahovecit është një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.

Në këtë masakër janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth.

Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 24 vjetësh figurojnë të pagjetur.

Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur. Në këtë masakër kanë mbijetuar 13 persona.

Ndryshe, për vrasjen dhe masakrimin e 106 martirëve, deri më tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore