Lajme

Donika Gërvalla gabon prapë, e prapë, e prapë…


Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, nuk ka të ndalur dhe nuk ka të ndarë nga gabimet që i bën pothuajse sa herë që poston diçka në rrjetet sociale, apo në kumtesa zyrtare të ministrisë.

Vetëm pak ditë pas një gafe të madhe, kur në një emision televiziv tha se me qeverinë e re Kosova po ulet në tavolinë me shumë vende që më parë s’ka pasur kontakt fare dhe kur u pyet cilat janë ato vende ngeci dhe nuk i kujtohej asnjë, ajo tash ka gabuar në komunikatë duke ngatërruar gjeneralin e parë të forcave të KFOR-it në Kosovë.

 

Duke dashur të shkruajë një notë ngushëllimi për vdekjen e Gjeneralit Klaus Reinhardt, i cili ishte komandant i  KFOR-it në Kosovë nga 8 tetori i vitit 1999 deri me 18 prill 2000, ajo e ngatërroi atë duke e quajtur “komandantin e parë të KFOR-it”.

 

Postimi i Gervalles ne Facebook

Do të mjaftonte vetëm një kërkim në faqen zyrtare të NATO-s, për të parë se komandanti i parë dhe mbase më i rëndësishëm i KFOR-it në Kosovë, ishte Lejtnant-gjenerali, Sir Michael Jackson, nga 10 qershori 1999 deri me 8 tetor 1999.

Jackson është një figurë e paharrueshme për shqiptarët e Kosovës, për shkak të angazhimit dhe kontributit të tij me forcat aleate në Kosovë.

Por, Gërvalla, që gabimet iu kanë bërë të zakonshme, shkruan: “si komandant i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë, Gjerneral Reinhardt ka dhënë një kontribut vendimtar në kthimin gradual të Republikës së Kosovës në një jetë normale, civile dhe në rindërtimin e vendit pas një lufte të tmerrshme dhe përballjes me gjenocid”.

Ky nuk është gabimi i parë i saj, por as i dyti e i treti.

Ministrja e Politikës së Jashtme ka dhjetëra gabime prejse ka marrë detyrën.

Ato i bën vazhdimisht dhe jo të gjitha janë gabime simbolike – sidomos kur ato bëhen nga llogari zyrtare të ministres e ministrisë së Kosovës.

Për shembull, Për rastin e tragjedisë në spitalin modular të Tetovës, Gërvalla, në vend që të etiketonte ministrin e Punëve të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin, për t’i shprehur ngushëllime, kishte përzgjedhur një Bujar Osmani tjetër në etiketim.

Një ditë para kësaj, po kjo Ministri e drejtuar nga Gërvalla, ngatërroi flamurin e Andorrës me atë të Moldavisë, kur i uroi Pavarësinë e Shtetit të Andorrës, duke përbërë kështu një gafë.

Gërvalla, po ashtu, muaj më parë ngatërroi edhe flamurin e NATO-s me atë të OKB-së. Një huq për t’u çuditur! Duke qenë se në Tëitter, në vend se të shkruhen emrat, paraqiten me flamujt e shteteve.

Kjo seri e “veseve” të Gërvallës ka shkaktuar debat në media, se çfarë janë në fakt këto gabime amatoreske.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore