Lajme

Dodik e bënë edhe këtë, akuzon Përfaqësuesin e Lartë në BeH për largimin e të rinjve nga Republika Srpska


Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka akuzuar Përfaqësuesin e Lartë në BeH, Christian Schmidt, dhe ministrat gjermanë se kanë ardhur në RS “për të inkurajuar sa më shumë të rinj që të shkonin në Gjermani”.

Këto komente, Dodik i bëri pas konferencës zgjedhore të Partisë së të Rinjve Socialdemokrat – forumi rinor i partisë që ai udhëheqë SNSD-së.

Dodik pretendon se Gjermania “nxit” të rinjtë e RS-së për t’u larguar nga aty, pasi që “Ukraina dhe Ballkani Perëndimor janë burimi i vetëm ku ata mund të zëvendësojnë pesë milionë vendet e punës që iu mungojnë”.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka njoftuar të mërkurën se Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, nga java e ardhshme do t’i ndalohet hyrja në RS.

“Nëse zbulojmë se ka hyrë, do të dëbohet nga Republika Srpska. Nga java e ardhshme ai nuk do të mund të hyjë në Republikën Srpska. Ja, provoni”, ka thënë Dodik, transmetojnë mediat boshnjake.

Ai pretendon se Schmidt – legjitimitetin e të cilit ai e kundërshton – “erdhi në BeH për të shpërbërë Republikën Srpska”.

Përfaqësuesi i Lartë në BeH, Christian Schmidt.

Madje, Dodik paralajmëroi se “në momentin që Schmidt vendos për ligjin për pronën, është marrë vendimi për pavarësinë e Republikës Srpska”.

“Nëse po ma merrni pronën, pse të jem me ju. Nuk jam dakord për pronën. Për mua është e përfunduar në Kushtetutë”, shtoi.

Presidenti autoritar ka përsëritur kërkesën për largimin e gjyqtarëve të huaj nga Gjykata e BeH-së, duke thënë se Prokuroria e BeH-së ka ngritur aktakuzë ndaj tij “sepse ai nuk do të respektojë ligjin e të huajit (Schmidt)”.

“Unë do të shkoj në gjykatë, ju nuk do të më burgosni edhe nëse më gjykoni”, theksoi Dodik.

Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës ngriti një aktakuzë kundër Dodik-ut pasi që Kuvendi i Republikës Srpska miratoi dy ligje të diskutueshme më 27 qershor.

Sipas këtyre ligjeve, vendimet e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) nuk do të publikohen më në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska, prandaj ato nuk do të zbatohen dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës do të nuk do të zbatohet më në RS.

Dodik u akuzua sepse si president i Republikës Srpska nënshkroi dekretin për shpalljen e këtyre dy ligjeve, pas së cilës u botuan në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska.

Nga ana tjetër, Schmidt më 1 korrik, i anuloi të dy ligjet dhe vendosi ndryshime në Kodin Penal të BeH-së, i cili përcakton se çdo veprim që cenon rendin kushtetues të BeH-së do të trajtohet si vepër penale, si dhe si mosrespektim dhe moszbatimi i vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

Dodik për veprimet e tij de-stabilizuese dhe anti-Dejton (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995), është shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Këtë vendim është kërkuar që ta ndjekë edhe Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore