Rajoni

Dodik: Aktakuza është shkruar me ndihmën e ambasadorit amerikan, bëhet fjalë për serbofobinë


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka mbajtur këtë të shtune një konferencë për media ku ka kometuar aktakuzën që Prokuroria e BeH-së ka ngritur të premten ndaj tij dhe ndaj ushtruesit të detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Millosh Lukiç.

Dodik akuzoi ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në BeH, Michael Murphy, për ngritjen e aktakuzës.

“Kjo është e turpshme, kërcënim për sovranitetin dhe nuk ka të bëjë me ligjin, por dhunën politike, pra forcën që qëndron pas ambasadorit amerikan në BeH, një njeri që çdo ditë mendon se çfarë do të bëjë kundër serbëve. Aktakuza u shkrua për ditë të tëra me ndihmën e Murphy-t. Mund të shihni se dje ambasada amerikane dhe zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BeH inekzistente kanë deklaruar mbështetjen e tyre për aktakuzën”, pretendoi Dodik.

Përkundër se i është ngritur aktakuzë, presidenti autoritar i RS-së pohon të mos jetë penduar për nënshkrimin e dekretit, përmes të cilit vendimet e Përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikohen në gazetën zyrtare të RS-së, madje thekson se një gjë të tillë do ta bënte përsëri.

“Dhe në të ardhmen do ta bëj kur Asambleja Parlamentare e RS-së të miratojë ndonjë ligj. Nuk kisha asnjë dyshim atëherë dhe nuk kam asnjë dyshim sot. Përpjekja për të krijuar një strukturë vartëse po udhëhiqet nga ambasada amerikane në Sarajevë për të sjellë serbët në një pozitë që të nënshkruajnë akte që u përgjigjen atyre, shtoi ai.

Ndërkaq, presidenti i RS-së ka paralajmëruar ngritjen e një kallëzimi penal ndaj prokurorit që e ka ngritur aktakuzë, por ka bërë me dije se ftesës së Gjykatës së BeH-së do t’i përgjigjet pozitivisht.

“Zakonisht Prokuroria mburret me pavarësinë e saj, jo si ky prokuror që dëshiron ta bëjë të lumtur (Denis) Beçiroviç-in. Tre prokurorë janë duke punuar për çështjen, dy e kanë anuluar dhe ky nuk ka hezituar. Është pa asnjë bazë ligjore, ligji sipas të cilit më inkriminojnë nuk ekziston. Nuk ka zyrë të OHR, gjysma e BeH-së nuk e njeh këtë fakt, një e treta në kuptimin politik”.

I pyetur nëse mendon se Gjykata e Bosnje e Hercegovinës do ta konfirmojë aktakuzën, ai deklaroi se nëse Gjykata vendos ta konfirmojë këtë, “atëherë edhe kjo do të ishte pjesë e serbofobisë”.

Ndërsa, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës Srpska të mblidhen rreth presidentit të tyre, pra rreth tij.

Aktakuza e ngritur ndaj Dodik-ut, SHBA-të: Askush s’është mbi ligjin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore