Shqipëria

Dita e Sulltan Nevruzit / Politika uron besimtarët


Me rastin e 22 marsit, ditës së Sulltan Novruzit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar besimtarët për festën.

Nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook (FB) ai shkruan, “Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”.

Përveç kryeministrit, edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar këtë komunitet.

Ai shkruan në FB se në zemrën e çdo shqiptari po lind një shpresë dhe një epokë mundësish të reja.

“Gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e Imam Aliut! U bashkohem sot lutjeve për shëndetin tuaj dhe të çdo anëtari të familjes”.

Urim ka pasur dhe nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ruçi i ka dërguar një letër urimi Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Kryetari i Kuvendit në 30-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, uroi dhe besimtarët dhe të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shënuar.

“Ju përshendes edhe njëherë të gjithëve, ju, pjesëmarrësit në festë, besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët dhe ju uroj shëndet e gëzime në vatrat familjare”, shkruan në letrën e tij Ruçi.

Po ashtu dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar të gjithë besimtarët bektashinj në këtë ditë të shënuar.

“Qoftë kjo ditë e bekuar një ogur i mbarë për çdo shqiptar e për çdo familje që sot i lutet Zotit për të mirën, shëndetin dhe ngadhënjimin mbi të keqen”.

Nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, uroi të gjithë besimtarët.

Ajo vendosi theksin tek harmonia fetare që ekziston në Shqipëri.

“Do doja që të ishte një ditë me diell por nganjëherë dhe ky shiu është bereqet. Le të jetë bereqet për familjet e shqiptarëve, në këtë ditë të shënuar të Sulltan Nevruzit, ju uroj mbarësi gjithë shqiptarëve, gjithë besimtarëve bektashinj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore